Mos na e vrisni fëmijërinë në këtë mënyrë. Kjo është thirrja që u drejton autoriteteve në Durrës nxënësi i klasës së tretë M. Dyrmishi. Ai është i detyruar që çdo ditë të shkojë në shkollë e të kthehet, duke kaluar trafikndarësen e autostradës, që nis nga mbikalimi i Kënetës e përfundon në portin e karburanteve, në Porto Romano.
Mirgeni është një prej 1 mijë fëmijëve e 3 mijë banorëve që ndajnë të njëjtin shqetësim. Një banor ka ndërtuar një miniurë prej druri, në mes të trafikndarësve, që është e vetmja që shërben si rrugë për fëmijët e shkollës, të moshuarit, banorët, që shkojnë çdo ditë në punë, në spital, në aktivitetin e përditshëm e anasjelltas.
Autostrada nuk ka ansjë mbikalim, të gjithë fëmijët janë të detyruar të kalojnë mbi trafikndarëse, ndërsa automjetet, kryesisht të tonazhit të rëndë, janë me shpejtësi maksimale. Me dhjetra aksidente kanë ndodhur, ndërsa fëmijët i bëjnë apel qeverisë vendore t’u sigurojë fëmijërinë, për të mos mbetur poshtë rrotave të makinave.
K. H.