Domate e speca në mes të rrugës
DURRËS, 3 qershor 2013 – Të shfrytëzosh çdo hapësirë të mundshme publike për të përfituar të mira materiale.
Në një segment të bordurës që ndan dy kahet e lëvizjes në unazën që lidh zonën e plazhit të Durrësit me Shkozetin, një subjekt privat ka mbjellë perime të cilat kanë lidhur kokrra dhe shumë shpejt do të mund të vilen.
Mbjellja e tyre në vendin e lënë për gjelbërim publik ka tërhequr vëmendjen e jo pak njerëzve, që kalojnë çdo ditë në këtë aks rrugor.
Ndryshe nga babëzia për të përfituar hapësira publike dhe shfrytëzuar ato për përfitim vetjak, në kohë fushatash elektorale, kur autoritetet vendore e qendrore shfaqen të mefshta pasi kanë frikë të ushtrojnë kompetencat e dhëna nga ligji, ideatori i kësaj parcele i ofron të dyja.
Gjelbërimin e munguar, të parealizuar nga ndërmarrja që përgjigjet për të përgjatë akseve rrugore të Durrësit, si dhe përfitimin vetjak, po që mund të shndërrohet dhe në publik për aq kohë sa perimet ndodhen në rrugën automobilistike.
Personi të cilit i ka lindur ideja të përdorë për mbjellje perimesh këtë rrip toke të krijuar nga ndërtuesit e rrugës zotëron një servis ndanë rrugës.
Është punues llamarine dhe është gjithë kohën në mbrojtje të tyre, teksa ushtron profesionin e tij.
Nuk pranon të flasë shumë për idenë, ndërkohë që pret të vjelë frytet e punës së vet, së shpejti.
/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





