Një autobus i linjës urbane Durrës-Plepa është përfshirë nga flakët pak minuta më parë, në afërsi të Urës së Dajlanit. Shoferi i mjetit është detyruar të zbresë me urgjencë të gjitha pasagjerët që ndodheshin në urban, kryesisht persona të rritur, por edhe shumë nxënës shkollash.

Dëshmitarë në autobus bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se urbani nisi të mbushej me tym dhe shoferi u detyrua të ndalonte pa arritur në stacion dhe të zbriste të gjithë pasagjerët, me qëllim mos përshkallëzimin e situatës. Siç duket edhe në foto, vatra e zjarrit duket se ka qenë pranë njërës prej rrotave të përparme të mjetit.

Sipas dëshmitarëve, kjo nuk është hera e parë që regjistrohen raste të tilla, kur mjetet e transportit urban në Durrës përfshihen nga flakët, pasi gjatë periudhës së verës kanë ndodhur edhe 3-4 raste të tjera.

Sipas pasagjerëve, shërbimi urban lë shumë për të dëshiruar dhe për këtë arsye nevojitet një përmirësim urgjent i kushteve të shërbimit, pasi në raste të ngjashme mund të vihet në rrezik edhe jeta e qytetarëve.

Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë konkretisht më 10 maj, “DurrësLajm” raportoi për një tjetër autobus që u përfshi nga flakët në ecje në lagjen nr. 13, zona e Plazhit. Edhe atëherë shoferi arriti të ndalonte mjetin në kohë dhe të nxirrte pasagjerët, duke shmangur tragjedinë.

LEXO EDHE:

M.B.