DURRES, 05 mars 2013 – Kontrollohen brenda 24 orësh 200 automjete dhe 70 lokale në qytetin e Durrësit. Efektivët e policisë së komisariatit të Durrësit në bashkëpunim me homologët e tyre të rrugores dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në automjete të ndryshme dhe bare, pub-e e lokale të lojërave të fatit me qëllim përmirësimin e punës parandaluese e zbuluese të veprimtarisë kriminale.
Në një njoftim për shtyp policia e Durrësit bën të ditur se është hartuar një plan masash që do përqendrohet kryesisht në parandalimin e krimeve kundër personit dhe pronës, kapjen e personave të shpallur në kërkim etj.
“Nga organizimi i pikave të kontrollit të lëvizshme apo stacionare së bashku me FNSh në pikat më dinamike dhe sensibël të qytetit në funksion të kontrolleve, përgjatë 24-orëve të fundit është realizuar:
-Kontrolli i rreth 200 automjeteve
-Kontrolli i rreth 70 ambienteve të ndryshme si lokale, pub-e, lojra fati, veçanërisht përgjatë orëve të natës apo kur ka të dhëna se frekuentohen nga persona të armatosur dhe me tendenca në drejtim të vjedhjes së automjeteve, vjedhjes me dhunë e armë, persona në kërkim, etj”,- thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë në harkun kohor të pak orëve janë ndaluar 5 automjete për përdorimin e xhamave të zinj dhe dy shtetas të shpallur në kërkim. Shërbimet policore kanë parashikuar gjithashtu rritjen e intensitetit të punës për grumbullimin e të dhënave për persona me rrezikshmëri shoqërore si dhe në drejtim të ndalimit të autorëve të veprave penale në kushtet e flagrancës.
Në njoftim theksohet gjithashtu se “masat e ndërmara do të aplikohen në ditët në vazhdim dhe do të shoqërohen edhe me kontroll të plotë të territorit, veçanërisht gjatë natës, nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme në patrullime të motorrizuara apo këmbësore”.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





