Autori Sulejman Madani ka promovuar në Durrës dy libra të tij me kujtime “Tranzicioni politik në Tropojë” dhe “Publicistikë”.

Në këto dy libra, Madani ka sjellë për lexuesit shumë kujtime jetësore, personazhe dhe histori të viteve më parë, që kanë jetuar dhe jetojnë mes dy periudhave të rëndësishme historike të vendit tonë.

Përmes personazheve dhe historive të vërteta, autori hedh dritë mbi përvoja të ndryshme jetësore dhe njëkohësisht zbulon këndvështrimin e tij gjatë analizimit të situatave të ndryshme në politikën e djeshme dhe të sotme.

“Pjesëmarrja juaj në këtë eveniment më lumturoi pa masë. Jo vetëm sepse promovuam së bashku dy libra me kujtime, por ky promovim u bë shkak fatlum që të takohemi, të bisedojmë, të shkëmbejmë mendime, por edhe të rikujtojmë vitet gjatë të cilave kemi punuar së bashku”,– tha Madani gjatë fjalës së tij.

Mes miqve të tij të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit dhe Shoqatës së Veteranëve, të mbledhur në odeonin “Nikolin Xhoja”, Madanit iu akorduan edhe dy tituj të rëndësishëm “Ambasador i paqes” dhe  “Nderi i shoqatës “Myslym Peza””.

Shkrimtarët dhe veteranët që morën fjalën gjatë takimit vlerësuan kontributin e Madanit në publiçistikën shqiptare me këto dy botime të reja.