Durrës, 5 maj 2014 – Me rastin e 5 Majit, ditës së Dëshmorëve të Atdheut, autoritetet më të larta qendrore dhe vendore të Durrësit kanë nderuar kujtimin e të rënë për liri.

Në homazhet e zhvilluara në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës merrin pjesë Prefekti i Qarkut, Rolant Xhelilaj, kryebashkiaku Vangjush Dako, kreu i Këshillit të Qarkut, deputetë, drejtues institucionesh, përfaqësues të besimeve fetare si dhe familjarë dhe të afërm të dëshmorëve dhe qytetarë durrsakë.

Ashtu si në Tiranë, edhe në Durrës përfaqësuesit e opozitës munguan gjatë homazheve zyrtare të zhvilluara në Mauzoleumin e Dëshmorëve.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Vangjush Dako u shpreh se të gjithë përkulen me nderim përpara aktit heroik të atyre njerëzve që dhanë jetën për lirinë e vendit.

“Si çdo 5 maj jemi mbledhur këtu në Mauzoleumin e Dëshmorëve për të kujtuar aktin heroik të të rënëve për lirinë e Atdheut, të asaj lirie që u arrit me aq mund e sakrifica nga bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë. Me idealin e tyre për të pasur një Shqipëri të lirë ata nderuan dhe ngritën lart dinjitetin e një kombi të tërë në luftë kundër pushtuesve duke shkruar një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë. Duke u përkulur me respekt përpara tyre ne deklarojmë se do të mbajmë premtimin tonë për amanetin e tyre që Shqipëria të bëhet një komb i lirë ku të mos ekzistojë tirania dhe shtypja”,- tha Dako.

Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/