Durrës, 21 maj 2014 – Një baba i dhënë pas pijes ishte kthyer në makthin e gjithë familjes, por më tepër të djalit të tij 19 vjeçar, që ishte kthyer në epiqendrën e shfryrjeve të përnatshme të prindit.

Fakti që pjesëtarët e familjes ishin të papunë dhe gjendja ekonomike vështirësohej çdo ditë e më shumë, nuk e ndalonte 51 vjeçarin S.D., nga Durrësi, të konsumonte çdo ditë alkool.

Pas kthimit në shtëpi, djali i tij 19 vjeçar ishte i pari që binte pre e dhunës fizike dhe psikologjike të të atit. 51 vjeçari e akuzonte të birin se rrinte kot gjithë ditën dhe nuk shkonte të punonte, megjithëse ky i fundit, megjithë tentativat e vazhdueshme nuk kishte mundur të siguronte një vend pune.

Nën efektin e alkoolit, grindjet e 51 vjeçarit jo rradhë herë kalonin edhe në përdorimin e forcës ndaj djalit dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.

I ndodhur në këto kushte, 19 vjeçari i është drejtuar policisë për mbrojtjes. Pasi janë njohur me dëshminë e 19 vjeçarit dhe deklarimet e pjesëtarëve të tjerë të familjes, efektivët e rendit kanë plotësuar Kërkesë-Padinë për lëshimin e Urdhrit të menjëhershëm të Mbrojtjes për 19 vjeçarin.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/