Durrës, 6 maj 2014 – Vonesa e vajzës së tij 13 vjeçare , e cila kishte dalë me shoqet, ka bërë që një prind të reagojë dhunshëm ndaj bijës së tij të mitur. Dhuna fizike e ushtruar ndaj vajzës së tij, ka bërë që fqinjët të denoncojnë në polici 35 vjeçarin I.R., nga Durrësi. Policia e qytetit bregdetar ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 35 vjeçarit, i cili ka deklaruar para forcave të rendit se e bija është vonuar shumë më tepër orës së rënë dakort për t’u kthyer në shtëpi, e për këtë mesa duket ai ka dashur t’i japë një mësim, për të mos e përsëritur herë tjetër këtë ndodhi. Tashmë 35 vjeçari I.R. do të ndiqet penalisht për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
Ndërkohë një rast tjetër i dhunës në familje është regjistruar në Durrës. Një 86 vjeçar është dhunuar për motive të dobëta nga djali i tij, e për këtë arsye i është drejtuar policisë për mbrojtje. 86 vjeçari është ankuar për dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar nga djali i tij N.T. Në këto kushte policia ka plotësuar Kërkesë-Padinë për Lëshimin e Urdhërit të Menjehershëm të Mbrojtjes për të moshuarin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





