·        Agjenda e takimit nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Durrës

DURRËS, 10 nëntor 2014 –  Të martën, më 11 nëntor 2014, ora 9.00, në Durrës, zhvillohet takimi i grupit të punës mbi Ballkanin Perëndimor me temë “Përfshirja e autoriteteve rajonale dhe vendore në projektet e bashkëpunimit ndërkufitar”.

Agjenda e këtij takimi u realizua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Durrës, njofton zëdhënësi i Këshillit të Qarkut, kolegu Artur Korriku.

Në agjendë bie në sy një “pjacë e lartë”: z. Bledar Çuçi, Ministër Shteti për Çështjet Vendore; znj. Romana Vlahutin, ambasadore, kryetare e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri; z. Jean-Louis Destans, kryetar i radhës i grupit të punës mbi Ballkanin Perëndimor, president i këshillit të përgjithshëm të departamentit francez Er (Eure); z. Vassilis Maragos, kryetar i njësisë përgjegjëse për Shqipërinë, departamenti i përgjithshëm i zgjerimit, Komisioni Evropian; z. Franz Schausberger, delegat i rajonit të Salzburgut për Komitetin e Rajoneve, raportues i Komitetit të Rajoneve mbi “Strategjinë e zgjerimit dhe sfidat kryesore 2014-2015” etj.

Ndërkohë është parashikuar të përshëndesin dhe referojnë z. Alfred Mullaraj, Kryetar i Këshillit të Qarkut Durrës; Vangjush Dako, Kryetar i Bashkisë Durrës; . Rolant Xhelilaj, Prefekt i qarkut Durrës etj.

Takimi është i ndarë në dy seksione: “Raport-progresi i Bashkimit Evropian për Shqipërinë për vitin 2014 dhe ndikimi mbi autoritetet rajonale e vendore dhe mbi bashkëpunimin ndërkufitar” dhe “Hartimi dhe zbatimi i projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar, shembujt dhe roli i autoriteteve rajonale dhe vendore”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/