“Kur është koha e votave vijnë si demokratët, si socialistët na trokasin në derë. Ndërsa për rrugën as vijnë fare të shohin çfarë halli kemi!”
Kjo ishte deklarata e një banoreje të indinjuar të lagjes nr.13. Investimet në infrastrukturë në prag të vitit elektoral nuk i bindin qytetarët, që sot kanë zhvilluar një protestë. Që prej vitit 2021, banorët e rrugës “Polikseni Lulo” dhe “Dhimitër Kulla”, në zonën e plazhit në Durrës i janë drejtuar me peticion bashkisë për të kërkuar shtrimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza.
3 vite më pas, punimet kanë nisur në rrugën “Polikseni Lulo”, por nuk parashikojnë shtrimin e tubacioneve të ujërave të zeza. Ndërsa në aksin tjetër “Dhimitër Kulla” nuk është parashikuar asnjë ndërhyrje.
“Kjo nuk ka nevojë për koment fare. Unë nuk kam parë deri më sot që të vijnë të bëjnë shtrim, pa bërë kanalizime. Jemi zemra e plazhit dhe shihni ujërat e zeza ku kanë dalë”.
“Banjot i kemi të gjithë septike. Vetëm ne jemi ndarë të veçuar, që të dalin banjot këtu në mes të rrugës.”
“Jam e mërzitur. T’i paguash të gjitha, të mos jesh debitore në qeveri dhe të vijë puna të bjerë një vesë shi dhe të dalësh me çizme!”,- thanë disa prej protestuesve.
Bashkia e Durrësit ka parashikuar një fond prej 6.3 milionë lekë për rrugën “Polikseni Lulo” dhe “Ullishtave”, por investimi përfshin vetëm shtrimin me asfalt dhe rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha.
Për “DurrësLajm”, burime nga bashkia pohojnë se rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza nuk është parashikuar në projekt, pasi rruga “Polikseni Lulo” është nën kuotë rreth 20-30 cm më ulët sesa pika e shkarkimit e linjës ekzistuese. Ndërsa për rrugën “Dhimitër Kulla” do të shihet mundësia e shtrimit të saj nga ana e Ndërmarrjes Rruga.
Por banorët janë të vendosur të mos lejojnë vazhdimin e punimeve në rrugë. Kërkesa e tyre është mjaft e qartë:
“Pa kanalime është blloku puna, asnjë lopatë nuk mund të hidhet! O ndërmarrja që po punon këtu, ose ne!”
“Të bëjnë kanalizimet tamam siç është për të bërë. Nëse nuk i bën ato që këkojmë ne, mos t’i bëjnë fare. Le t’i lënë, siç kanë qenë, ashtu të rrinë”.
M.B.