DURRËS, 23 prill 2015 –  I jepet fund etjes në zonën problematike të Spitallës tek ish-“Reparti i Marinës”, duke shtrirë mbi 3,5 kilometra tubacione, një kryesor dhe dy dytësore, investim me vlerë 68 mijë euro. SHA Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) pritet të marrë shumë shpejt në dorëzim investimin për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës tek ish-reparti i Marinës në lagjen 15, i tha “Dyrrah”-ut zëdhënësi i UKD-së, gazetari i mirënjohur Aleks Kalemasi. Firma zbatuese e punimeve “Kronos Konstruksion” i ka përfunduar edhe punimet e fundit, ndërsa pret që investimi të merret në dorëzim nga UKD-ja. Investimi në fjalë është mjaft i rëndësishëm për zonën në fjalë, pasi banorët që jetojnë aty furnizohen vetëm një herë në tre ditë në një kohëzgjatje prej një orë e gjysmë. Nga ana tjetër, për shkak të tubacioneve të vjetra, niveli i ndotjes, sipas analizave të kryera nga Drejtoria e Shëndetit Publik, rezulton të jetë i lartë. Investimi në këtë zonë nisi pas propozimit të UKD-së për furnizimin me ujë të popullatës 24 orë dhe eliminimin e ndotjeve të ujit në rrjet. Projekti i hartuar për këtë qëllim, parashikonte ndërtimin e linjës së furnizimit me ujë me anë të një tubacioni PE 100 DN 355 mm, që merr ujë nga tubacioni kryesor DN 500 mm DCI.

GJENDJA AKTUALE

Kjo zonë aktualisht furnizohet me ujë të pijshëm nga dy tubacione ekzistues DN 100 mm G, i shtruar rreth viteve ‘60 dhe një tubacion DN 100 mm CE i shtruar rreth viteve 2000. Si rezultat i amortizimit të tubacioneve ekzistuese si dhe shtimit të popullsisë gjatë viteve të fundit për shkak të lëvizjeve demografike, furnizimi me ujë të pijshëm i kësaj zone është kryer një herë në tri ditë nga linja ekzistuese DN 200 mm G. Zona në fjalë nuk ka tubacione të shkarkimit të ujërave të ndotura, teksa ishin të pranishme kanale të hapura të ujërave të larta të kodrës, të cilat janë kthyer në kanale të ujërave të ndotura. Ndërhyrjet e shumta të paligjshme në rrjet kanë sjellë humbje të prurjeve dhe defekte të konsiderueshme. Nga UKD-ja janë bërë ndërhyrje të shumta për të eliminuar defektet dhe ndërhyrjet pa leje të bëra jashtë kushteve teknike, thotë Kalemasi.

PROJEKTI

Aktualisht në zonën e ish-repartit të Marinës jetojnë afro 1 800 banorë. Projekti parashikon furnizimin e zonës me ujë të pijshëm duke marrë parasysh shtimin e popullsisë për një periudhë 25-vjeçare. Projektuesi ka parashikuar shtrimin e tubacionit kryesor PE 100 DN 110 mm PN 10 me gjatësi 490 m/l, i cili nis nga rruga kryesore në zonën e Spitallës, ku edhe është ndërtuar një pusetë manovrimi me një saraçineskë manovrimi dhe matës uji. Më pas tubacioni reduktohet në tubacion PE 100 DN 90 mm PN 10 dhe ka gjatësi 320 m/l. Ky tubacion shtrihet në rrugë të shtruar me beton. Tubacioni kryesor ka edhe një pikë të dytë takimi me tubacionin ekzistues DN 355 mm në nyjën 1, në të cilën është ndërtuar një pusetë manovrimi, ku gjenden një saraçineskë dhe matësi përkatës i ujit. Rrjeti shpërndarës që është vendosur është PE 100 DN 63 mm PN 10, 1420 m/l në total, ndërkohë që në pika të ndryshme të kësaj gjatësie janë ndërtuar shumë kolektorë. Punimet janë kryer nga firma zbatuese: “Kronos Konstruksion “

ZËRAT E PUNIMEVE QË JANË KRYER

1. Gërmime dheu – 1847 m³

2. Mbushje ngjeshje rëre – 451 m³

3. Mbushje me zhavorr – 1149 m³

4. Shtresë betoni – 115 m³

5. Tubacion kryesor PE 100 DN 110 mm PN10 – 490 ml

6. Tubacion sekondar PE 100 DN 90 mm PN10 – 1635 ml

7. Tubacion sekondar PE 100 DN 63 mm PN10 – 1420 ml

8. Matës uji DN 100 mm PN 10 – 1 copë

9. Matës uji DN 80 mm PN 10 – 1 copë

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/