Banorët e një pallati 3-katësh në sektorin “Hekurudha” në zonën e plazhit kanë protestuar sot për njoftimin e ardhur nga bashkia.

30 familjeve u kërkohet të lirojnë banesat, sepse pallati i tyre, i dëmtuar nga tërmeti, do të shembet. Godina është shpallur fillimisht me dëme DS3, madje banorët kanë marrë edhe dëmshpërblimin në vlerën 500 mijë lekë, por tani pallati do të shembet, pas vendimit të marrë nga Instituti i Ndërtimit.

Banorët kundërshtojnë shembjen, ndërsa i tremben faktit se po i hedhin rrugëve.

Na ka ardhur një urdhër që do të prishet pallati. Nuk dimë asgjë se ku do të shkojmë“,- thotë një banore.

“I bëj thirrje bashkisë dhe qeverisë të vijnë këtu ta privatizojnë, t’i japim lekët. Ta suvatojnë pallatin dhe të vdesim të paktën në shtëpinë tonë”,– thotë një tjetër.

Banorët aludojnë se pallati i tyre po shembet, ngaqë ndodhet në një pozicion shumë të favorshëm. 

Duan ta marrin se është në një zonë shumë të mirë. Duan të bëjnë një pallat, të marrin paratë e tyre e neve të na nxjerrin rrugëve. Por do ketë një problem. Unë e kam emrin Hamdi Rexhepi. Kam hyrë në burg politik se kam thyer portretin e Enver Hoxhës në mënyrë demostrative. Duhet të më vrasin mua, këta që duan ta marrin këtë”,– thotë banori.

Po ndërkohë, kreu i njësisë administrative nr.5, Erjon Meka, hedh poshtë pretendimin e banorëve, se u ka ardhur njoftim për shembjen e godinës. Në një komunikim që “DurrësLajm” pati me të, Meka bëri të ditur se deri më tani nuk ka asnjë vendim të Këshillit Bashkiak për shembjen e pallatit 3 katësh. Sipas tij, është kërkuar një akt-ekspertizë e thelluar për godinën, pasi gjendja e saj është e amortizuar dhe ndërsa pësoi dëme në shkalllën DS3 nga tërmeti i 26 nëntorit.

M.B.