Dëmtimi i asfaltit përgjatë gjithë rrugës së vjetër nacionale Durrës- Tiranë ka ngritur në protestë banorët e fshatrave që e përdorin këtë aks si urë lidhëse me kryeqytetin.
Banorët e fshatit Pjezë, paraditen e së enjtes kanë bllokuar për disa minuta rrugën nacionale, duke kërkuar nga pushteti vendor dhe qeveria rikonstruksionin e saj. Ata thonë se prej vitesh nuk është vënë dorë në këtë aks, i cili ka qënë ura lidhëse e Durrësit me Tiranën, deri në kohën kur u ndërtua segmenti i autostradës Durrës- Tiranë.
Rruga është tërësisht e amortizuar. Banorët thonë se prodhimet bujqësore e blegtorale nuk mund t’i nxjerrin në treg, pasi aksi është bërë i pakalueshëm.
Ata deklarojnë se ky është vetëm hapi i parë. "Sot po protestojmë në mënyrë paqësore. Herën tjetër do të bllokojmë autostradën, nëse nuk shohim reagim nga autoritetet",- deklarojnë protestuesit.
Pak ditë më pare, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako i kërkoi Ministrit të Transporteve Damian Gjiknuri investim për rikonstruksionin e këtij aksi, që prej shumë kohësh e ka humbur funksionin e tij dhe s’mund të konsiderohet më rrugë.
K.H.





