Në këto kohë pandemie, e të ndalim-qarkullimit të mjeteve e të banorëve, në shumë qytete dhe zona ajri është më i pastër.

Por kjo nuk ndodh në zonën e ish-Kënetës në Durrës ku vetë punëtorët e Ndërmarrjes së Pastimit të qytetit po ju vënë zjarrin mbetjeve urbane në mes të lagjes.

Një kamion me mbetje urbane e shkarkojnë në zonë, ndërsa një kamioni tjetër po me mbetje i vënë zjarrin.  

Një kanal i madh që përshkon të gjithë qytetin dhe zonën e Kënetës përfundon në hidrovor, mbledh të gjithë papastëritë e ujrave të zeza. 

Janë banorët të cilët kanë ngritur shqetësimin që po sjell jo vetëm kanali i hapur por edhe djegia e mbetjeve urbane në mes të lagjes së tyre.

Ata thonë se “kjo është një tragjedi për banorët. Populli po vdes si pasojë e helmeve që kanë pushtuar këtë lagje.”

Banorët thonë se në zonën e ish-Kënetës janë mjaft të rrezikuar përsa i përket shëndetit, pasi zona e tyre përshkohet nga kanalet e hapur të ujrave të zeza të cilët duhet të ishin mbyllur, por që investimi është zvarritur vit pas viti.

Në kontaktin telefonik me bashkinë rreth këtij problemi, është theksuar se kjo pikë nuk është e zyrtarizuar për grumbullim mbetjesh.

Ndërkohë janë dërguar fadromat për të eleminuar tërësisht këtë pikë që shqetëson banorët.

K.H.