DURRËS, 14 shkurt 2014 –  Si rezultat i takimit të zhvilluar më 12 shkurt 2014, mes Autoritetit Portual Durrës dhe partnerëve të projektit “Ten Ecoport”, u arrit hartimi i një plan veprimi të përbashkët me portin italian të Barit për të krijuar një zone ekologjike brenda territorit të portit për mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Të pranishëm në takimin e zhvilluar ishin partnerët kryesorë të projektit: porti i Gumenicës (Greqi), Barit, drejtoria ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës sha, Ministria e Mjedisit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Instituti i Transportit, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Kapitaneria, Forcat e Sigurisë, Roja Bregdetare, institucioni i prefektit të qarkut, bashkia Durrës, Agjencia Rajonale e Mjedisit, shoqata mjedisore, operatorë dhe kontraktues të APD-së për çështje mjedisore, media, etj, njoftoi zyra e shtypit e APD-së sha. Fokusi i diskutimeve ishte zhvillimi dhe implementimi i menaxhimit mjedisor dhe sistemeve të informacionit, duke përdorur teknologjinë e përshtatshme për mjedisin. Në fjalën hyrëse përgjegjës i sektorit të mjedisit Shaziman Hoxha vuri në dukje se misioni i strukturës që ai drejton është mbrojtja e mjedisit detar dhe tokësor duke bashkërenduar punën me aktorët për të mbikëqyrur kështu periodikisht parametrat mjedisorë mbi cilësinë e ajrit, ujit dhe nivelit të zhurmave, nëpërmjet pajisjeve laboratorike, si dhe planin e menaxhimit mjedisor për minimizimin e ndikimeve mjedisore gjatë zbatimit të projekteve dhe zhvillimit të operacioneve në port. Përfaqësuesi i “Leader Partner” prof. Leonardo Damiani ka bërë një rezyme të bashkëpunimit të deritanishëm të projektit, duke pohuar se porte e Durrësit dhe Barit kanë qenë portet pilot të zbatimit të projektit, ndërsa ka vlerësuar rezultatet e deritanishme dhe ka kërkuar që puna të vijojë me të njëjtin intensitet nga të gjithë aktorët, që janë pjesë e projektit “Ten-Ecoport”. Zona ekologjike për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve portuale parashikon mbledhjen e diferencuar (lloji i mbetjeve të përfshira në mbledhjen e diferencuar, metoda e depozitimit të mbetjes, procesi i ndarjes së mbetjeve etj); vendndodhja e zonës ekologjike të mbetjeve; pajisjet e instaluara në zonën ekologjike, karakteristikat kryesore teknike.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/