DURRËS, 18 shkurt 2015 – Të mërkurën, më 18 shkurt 2015, në mesditë, në sallën e mbledhjeve të administratës së Prefektit të Qarkut Durrës u zhvillua takimi “Të punojmë së bashku për rritjen e sigurisë në komunitetet tona”, organizuar nga SACP – “Programi i Mbështetjes Suedeze për Ministrinë e Brendshme / Policinë e Shtetit për Policimin në Komunitet”. Ishin të pranishëm Prefekti i Qarkut Rolant Xhelilaj, drejtori i Policisë së Qarkut Drejtues Perlat Çullaj, zëvendëskryetar i bashkisë së Durrësit Arbër Braho, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Andrea Xhovara, punonjës policie, përfaqësues të pushtetit vendor, shoqërisë civile etj.
Takimin e hapi Robert Korkuti, menaxher i Programit, oficer në pension i policisë shqiptare. Prefekti i Qarkut Rolant Xhelilaj vlerësoi lart rëndësinë e policimit në komunitet, duke e konsideruar frymën e bashkëpunimit të strukturave shtetërore-komunitet. Xhelilaj siguroi mbështetjen e tij si institucion dhe në fund falënderoi ekipin e ekspertëve të policisë suedeze dhe përfaqësuesit e programit SACP. Drejtori i Policisë së Qarkut Drejtues Perlat Çullaj paraqiti punën që bëhet nga blutë bregdetare, foli mbi bashkëpunimin me institucionet shtetërore e pushtetin vendor dhe programin SACP.
KRAHASIMI
Ekspertët suedeze Kjell Elfalk, Per Svartz dhe Leif Hemmingsson prezantuan Sistemin e Matjes së Sigurisë në Komunitet dhe sollën përvojën suedeze në vendosjen e marrëdhënieve të partneritetit dhe bashkëpunimit. Sipas tyre, misioni i bashkëpunimit me partnerët ul krimin, ul numrin e problemeve të rendit dhe rrit sigurinë në blloqet e banimit. Për sa u përket treguesve të sigurisë në Suedi dhe Shqipëri, doli se 75 për qind e popullsisë në vendin nordik ndihen të sigurt nëse janë jashtë vetëm dhe afër zonës së tyre të banimit. Kurse në Shqipëri, në zonat ku janë pilotuar matjet, vetëm 45 për qind e popullsisë ndihet e sigurt. Është interesant konstatimi i ekspertëve: në Suedi afro 20 për qind e popullsisë thonë se kanë qenë viktimë e krimit. Studimet e bëra në Shqipëri në vitet 2013/2014 patën të njëjtat rezultate si mesatare vendi. Po ashtu nordikët e u shprehën se numri i personave që kanë frikë se bëhen viktima të krimit po ulet në Suedi dhe Shqipëri sipas matjeve në komunitet.
PROBLEMATIKA
Shefi i policisë së rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut kryekomisar Asllan Shyti foli mbi problemet dhe shkeljet e zbuluara nga një anketim në 4 zonat pilot (lagjet nr. 2, 14, 15 të qytetit të Durrësit dhe Fushë-Krujë) të qarkut. Anketimi i kryer nga ekspertët suedeze kishin të bënin me perceptimin e komunitet lidhur me ndotjen e mjedisit, cenimin e pronës private apo publike, të dehurit në vende publike, shpërndarjen apo përdorimin e drogës në vende publike (rrugë, sheshe, shkolla, bare etj.), prishjen e rendit publik dhe përleshjet në rrugë, ngacmimin e femrave në mjedise publike, aktivitetin e bandave të të rinjve, zhurma nga lokalet apo vendet e tjera argëtuese, lëvizjen e makinave me shpejtësi përtej normës së lejuar, shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor (kalimi me të kuqe, mosrespektimi i kalimtarëve, parkimi i gabuar).
U zhvillua një debat i gjallë, sidomos nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe pushtetit vendor, gjë që u vlerësua dhe nga ekspertët suedezë.
Fotot: Mirësjellje e Nebi Vlashit (TCH).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





