DURRES, 20 shkurt 2013– Një ngjarje e çuditshme është regjistruar një ditë më parë në Durrës. Një 43 vjeçare i është drejtuar komisaritit të policisë së qytetit bregdetar për të denoncuar dhunën fizike dhe psikologjike që kishte ushtruar mbi të bashkëshorti i saj, 46 vjeç, me iniciale P.S.
Sipas burimeve policore, gruaja ka kërkuar lëshimin e urdhrit të mbrojtjes si masë mbrojtëse për dhunën e ushtruar nga bashkëshorti, por fakti më interesant ka dalë në pah kur është marrë në pyetje nga oficerët e policisë burri dhunues. Para inspektorëve të policies, 46 vjeçari ka rrëfyer se edhe ai dhunohej vazhdimisht fizikisht dhe psikologjikisht nga gruaja e tij. Të ndodhur para një fakti të tillë, ku të dy bashkëshortët i “jepnin dajak” njeri-tjetrit policia ka plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për çiftin.
Ky është rasti i dytë brenda 48 orëve që meshkujt denoncojnë dhunën e ushtruar nga partneret e tyre, pasi para dy ditësh policia kërkoi lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për një 40 vjeçar që dhunohej nga ish bashkëjetuesja e tij.
Ndërkohë po gjatë ditës së martë një i ri 28-vjeç, banues në rrethin e Durrësit ka denoncuar në polici vëllanë e tij, S.D., 30 vjeç për ushtrim dhune fizike e psikologjike ndaj tij.
/m.b.Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





