DURRËS, 3 dhjetor 2014 –  Bashkia e Durrësit ka bërë një njoftim lakonik se më 19 dhjetor do të organizojë tenderin për vepër arti në sheshin “Liria” me një fond limit 13 997 000 lekë (mbi 100 mijë euro), investim nga të ardhurat. Vepra duhet realizuar brenda 20 ditëve nga nënshkrimi i kontratës. “Dyrrah”-u ka mësuar se vepra e artit do të jetë një konstruksion metalik inoks që ngrihet në lartësi dhe shtrihet horizontalisht nga shkallët e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” deri te ndërtesa e bashkisë.

Gjithsesi, zyrat përkatëse në njësinë e qeverisjes vendore kanë për detyrë të informojnë publikun për idetë që shtrohen, për më tepër që është një investim goxha i konsiderueshëm nga të ardhurat, përveç faktik që buxheti i shtetit ka hapur një fond limit prej 137 881 628 lekë (rreth 1 milion euro) për fazën e dytë të punimeve të rikualifikimit të sheshit “Liria”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/