Titulli “Mirënjohje e Qytetit” për dy veteranë: Xhemal Kacani dhe Muharrem Kokomani (pas vdekjes).
DURRËS, 14 nëntor 2014 – Me rastin e 14 nëntorit, 70-vjetorit të çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë (në foton kryesore: më 14 nëntor 1944, durrsakët presin partizanët në një manifestim para “STAMLES”-it), Bashkia e Durrësit ka organizuar, më 14 nëntor 2014, një ceremoni solemne në Mauzoleun e Dëshmorëve.
Merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako; deputetët socialistë të Durrësit në Kuvendin e Shqipërisë Blend Klosi, Esmeraldë Shkjau, Gentian Bejko, Klodianë Spahiu; prefekti i qarkut Durrës-Krujë Rolant Xhelilaj, kryetari de jure i degës së PS-së Alfred Mullaraj, veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) dhe të afërm të dëshmorëve, etj.
Bashkia e Durrësit kishte organizuar ceremoninë në mënyrë krejt të veçantë, ku ishte përgatitur një program i larmishëm artistik me motive atdhetare dhe të luftës partizane si dhe u ndanë tituj nderi për disa veteranë të luftës.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, fjalën e rastit e mbajti kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili tha, midis të tjerave:
“Në këtë 70-vjetor gjithë Shqipëria ka kremtuar fitoren antifashiste në qytete e krahina dhe një festim solemn do të bëhet më 29 nëntor. Është kjo data që e bën Shqipërinë forcë aleate me Evropën antifashiste. Është kjo data që ka ndryshuar fatin dhe të ardhmen strategjike të shqiptarëve. Pa këtë fitore nuk do të mund të mendohej ndërhyrja e aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake, ndërhyrja e NATO-s, në mbrojtje të popullit shqiptar në Kosovë. Pa këtë fitore nuk do të mund të imagjinohej progresi i Shqipërisë në rrugën evropiane. Pa këtë fitore nuk do të mund të përfytyrohej klima gjithnjë e më në ndryshim pozitiv me fqinjët dhe më gjerësisht në Ballkan. Më lejoni të shpreh, para së gjithash, mirënjohjen e thellë të popullit të Durrësit për kontributin dhe vetëmohimin e gjithë heronjve dhe dëshmorëve, që, në emër të lirisë, nuk kursyen asgjë për të arritur ditën e madhe dhe të lavdishme të 14 Nëntorit, ditën e çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë.
Kjo ditë teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim këtë respekt e mirënjohje, njëherësh na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore dhe historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht neve, që drejtojmë sot këtë qytet, na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesoret është ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; ëndrrës për një Shqipëri të lirë dhe evropiane”.
Në këtë aktivitet e ka marrë fjalën edhe prefekti i qarkut Rolant Xhelilaj.
Më pas u dorëzua titulli “Mirënjohje e Qytetit” që Bashkia e Durrësit ka akorduar për dy veteranë: Xhemal Kacani dhe Muharrem Kokomani (pas vdekjes).
Për Xhemal Kacanin, kryetar i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës, ishte ky motivacion:
“Për merita të mëdha si një ndër protagonistët e epopesë së lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare dhe më pas si personalitet i spikatur e ndër më aktivët e Organizatës së Veteranëve të Luftës”.
Ndërsa për Muharrem Kokomanin, ish- komandant i brigadës së XXIII, ishte ky motivacion:
“Veprimtar dhe pjesëmarrës në Luftën për çlirimin e atdheut nga okupatori nazifashist, njeri i përkushtimit të jashtëzakonshëm për të përmbushur gjithnjë me autoritet, korrektesë dhe ndershmëri në çdo detyrë.”
Në këtë ceremoni janë nderuar edhe veteranë të tjerë me tituj mirënjohjeje nga organizata e veteranëve të LANÇ-it për kontributin e tyre atdhetar.
Më pas aktiviteti ka vijuar me një koncert të pasur me këngë me motive partizane e poezi patriotike.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





