DURRËS, 28 maj 2015 – “Projekti teknik për ndërtimin e rrugës së re paralel me murin e portit u hartua rreth 2 vjet para se të fillonin punimet. Gjatë fazës së përditësimit të projektit me faktin, nga ana e mbikëqyrësit të punimeve dhe sipërmarrësit u vërejtën disa mangësi, mospërputhje dhe disa probleme me strukturën mbajtëse të bazamentit të tokës. Këto e bënin të pamundur avancimin e punimeve, duke u bazuar në projektin bazë, dhe që kërkonin zgjidhje dhe rillogaritje të aftësisë mbajtëse të truallit dhe shtresave rrugore”. Kështu ka deklaruar kryetari i bashkisë në detyrë Vangjush Dako, teksa i ka kërkuar Këshillit të Bashkisë Durrës të vendosë miratimin e fondit shtesë prej 47 659 560 lekë.
Rillogaritje aftësisë mbajtëse të truallit dhe shtresave rrugore
Në relacion për miratimin e fondit shtesë për ndërtimin e rrugës së re paralel me murin e portit, thuhet se me Fondin e Zhvillimit Rajonal po kryhen punime me vlerë investimi 239 878 704 lekë me tvsh. Projekti teknik u hartua rreth 2 vjet para se të fillonin punimet. Gjatë fazës së përditësimit të projektit me faktin, nga ana e mbikëqyrësit të punimeve dhe sipërmarrësit u vërejtën disa mangësi, mospërputhje dhe disa probleme me strukturën mbajtëse të bazamentit të tokës. Këto e bënin të pamundur avancimin e punimeve, duke u bazuar në projektin bazë, dhe që kërkonin zgjidhje dhe rillogaritje të aftësisë mbajtëse të truallit dhe shtresave rrugore. Në këtë kontekst, në zbatim të shkresës së mbikëqyrësit të punimeve “Novatech Studio” mbi disa probleme që kanë dalë gjatë zbatimit të objektit, në miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të projektzbatimit edhe nga projektuesi “Ave Consulting”, u hartua procesverbali mbi ndryshimet në projekt dhe preventiv si dhe u miratua njëkohësisht nga kryetari i bashkisë. Në të janë propozuar dhe miratuar ndryshime që konsistojnë në rivlerësimin dhe rillogaritjen e nënshtresave të rrugës.
Gërmime në trupin e rrugës për të kaluar thellësinë e parashikuar
Për shkak të gjeologjisë dhe formacioneve të dobëta u mendua që gërmimet në trupin e rrugës të kalonin thellësinë e parashikuar në projekt, të cilat arrijnë deri në 2 metra. Shtresa mbushëse me çakëll minash do të bëhet me lartësi deri në 80 cm në të gjithë gjatësinë e rrugës, pra do të rritet me 20 cm nga projekti bazë. Në të gjithë gjatësinë e rrugës do të aplikohen dy shtresa çakëll të fraksionuar nga 20 cm shtresa, të cilat rrisin aftësinë mbajtëse dhe jetëgjatësinë e rrugës, pra i shtohet projektit bazë edhe një shtresë tjetër çakëll 2×10 cm. Do të aplikohen dy shtresa konglomerati bituminoz nga 10 cm, duke shtuar një shtresë tjetër 10 cm për rritjen e aftësisë mbajtëse dhe jetëgjatësisë së rrugës. Për unifikimin e projektit, duke parë edhe hapësirat që u liruan pas prishjeve të ndërtesave ekzistuese përgjatë gjithë gjatësisë së objektit, u mendua të ndërtohet trotuar në njërën anë të rrugës me gjerësi 3 metra dhe korsi biçikletash në anën tjetër të saj me gjerësi 3 metra, duke respektuar paketën e projektit bazë.
kolektor me diametër 600 mm dhe 500 mm vetëm për ujërat e shiut
Gjithashtu në hapësirat ndërmjet trotuarit dhe objekteve ose rrethimeve do të ndërtohet një brez i gjelbër. Gjithashtu ndërmjet rrugës dhe korsisë së biçikletave do të ndërtohet një trafik-ndarës me gjerësi 1.2 metra i shtruar me pllaka dhe me pemë dekorative. Trotuari do të ndërtohet me pllaka betoni 6 cm. Bordurat dhe kundër-bordurat e trotuarit dhe rrugës do të jenë të parapërgatitura. Për shkak të pjerrësive gjatësore dhe kuotave të imponuara të shkarkimeve të ujërave të shiut, u rikonceptua skema e shkarkimeve dhe është e domosdoshme të ndërtohet një kolektor kryesor me tuba të brinjuar me diametër 600 mm dhe 500 mm vetëm për ujërat e shiut, i cili do të shkarkojë në det nëpërmjet lidhjeve që do të ndërtohen me kolektorin e kanalizimeve që ndodhet brenda hapësirës së portit. Ndërsa kullimi i ujërave nga skarat e shiut në kolektorin kryesor do bëhet me tuba të diametrave më të vegjël.
Zëvendësimi i linjës 20 kilovolt me gjatësi 500 ml, brenda rrethimit të portit
Në projektin fillestar nuk ishin parashikuar tubacionet për linjat rezervë si një element i domosdoshëm për të shmangur ndërhyrjet në rrugë në të ardhmen për vendosjen e kabllove të ndryshëm. Kjo do të realizohet me tub HDPE i brinjuar SN 4 Dj = 250 mm dhe me ndërtimin e pusetave 1×1 çdo 50 m në të gjithë gjatësinë e rrugës përgjatë trotuarit në krah të majtë. Pas zhvendosjes se murit rrethues të portit u pa e detyrueshme zëvendësimi i linjës 20 kilovolt me gjatësi 500 ml dhe vendosjen e tij brenda rrethimit të portit. Sipas relacionit, këto ndryshime janë të domosdoshme, sepse garantojnë cilësinë, jetëgjatësinë e projektit dhe nuk cenojnë anën funksionale. Të gjitha këto kanë sjellë rritjen e volumeve të preventivit të punimeve sipas projektit te ndryshuar dhe të miratuar, që janë konstatuar, duke bërë azhurnimin e saktë të terrenit me projektin e zbatimit. Në bazë të tyre, është nxjerrë vlera e fondit shtesë që nevojitet për realizimin e të gjithë investimit. Ai arrin në 47 659 560 lekë, vlerë, e cila është brenda 20 përqindëshit të vlerës së kontratës bazë.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/