Turp në vitin 2014 – Padituri e skajshme juridike dhe gjuhësore në hartimin e dokumenteve zyrtare, gjë që e bën të pavlefshëm dhe vendimin e “parlamentit” të qytetit “Për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimit të  rregullores së funksionimit të sektorit veterinar pranë drejtorisë së shërbimeve në bashkinë Durrës”

DURRËS, 22 mars 2014 –Në administratën e bashkisë si dhe në “parlamentin” e qytetit të Durrësit nuk e dinë ende, pas 6 muajve, që nuk ekziston më emërtimi “Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit”, por “Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave”! 

Në mbledhjen e 18 marsit 2014 të këshillit bashkiak u miratua dhe një projektvendim i administratës vendore “Për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimit të  rregullores së funksionimit të Sektorit Veterinar pranë Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Durrës”.

Por askujt, as kryetarit të bashkisë, as kryetarit të këshillit bashkiak, as dhe këshilltarëve që e kishin diskutuar në komisione nuk u kishte tërhequr vëmendjen paragrafi  “Sherbimi veterinar eshte i organizuar ne sistem te centralizuar shteteror me qender ne Ministrine e Bujqesise dhe Ushqimit” (shih faksimilen) – ku vetëm në këtë citim mungonin 11 “ë” – se që nga shtatori 2013 nuk ekziston më emërtimi “Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit”, por “Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave”. 

Vetëm për këtë fakt vendimi është i paligjshëm.

Mund të ngjallë protesta nga ana e shoqatave të mbrojtjes së kafshëve detyra që i lihet inspektorit përkatës me një formulim të mjegullt logjik: “mban nën kontroll [kë? – “Dyrrah”-u] dhe zbaton legjislacionin në fuqi për eliminimin e qenve të rrugës”.

Është nevojë e ngutshme që rregullorja të shqyrtohet sërish dhe të paraqitet me dinjitet në këshillin bashkiak, ku dhe të kërkohet falje publike.

E themi me dinjitet, pasi kjo RREGULLORE E BRENDESHME E SEKTORIT VETERINAR DHE INSPEKTORIATIT VETERINAR është e mbushur me gabime të trasha drejtshkrimore qysh në titull: “brendeshme” kur duhet “e brendshme” dhe “inspektoriatit” kur duhet “inspektoratit”.

Në këtë dokument zyrtar mungojnë mbi njëmijë “ë”, ka gabime shtypi (janë “ngrënë” germa), gabime drejtshkrimore (mungojnë nyjat e përparme etj. etj.); përdorim jo të përshtatshëm të terminologjisë së fushës, mbi të gjitha ka formulimin e gabuar juridik, që mund të pasohet dhe me gafa të tjera.

Është tejet e papranueshme që në vitin 2014 në bashkinë nr. 2 të vendit të shfaqet një padituri e skajshme në hartimin e dokumenteve zyrtare.

Shënim:

Nisur nga fakti se siguria ushqimore ka rëndësi të madhe për njerëzit, “Dyrrah”-u po boton të plotë rregulloren e brendshme të sektorit të inspektoratit veterinar të bashkisë së Durrësit.

Kujtojmë se agjencia e lajmeve ka bërë qortimin e gabimeve juridike, të shtypit dhe të drejtshkrimit.

I rekomandojmë qytetarit nr. 1 të Durrësit Vangjush Dako të bëjë krahasimin e origjinalit me versionin e ndrequr e të paraqitur në “durreslajm.com”, duke vepruar me shpejtësi në qortimin e gabimeve gjuhësore në të gjithë praktikën shkresore të administratës që drejton.

Dokumenti

RREGULLORE E BRENDSHME E SEKTORIT TË INSPEKTORATIT VETERINAR TË BASHKISË SË DURRËSIT

VITI 2014

1. Sektori veterinar dhe inspektorati i tij në bashki është krijuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave me shkresë nr. 2302 datë 9.10.1992 dhe ligjit nr. 7674 datë 23.2.1993 “Mbi shërbimin dhe inspektoratin veterinar”, neni 7. E gjithë veprimtaria e inspektoratit veterinar mbështetet në dy ligje, në ligjin nr. 10465 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 9863 datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, si dhe në aktet nënligjore përkatëse.

2. Qëllimi (Misioni) kryesor i inspektoratit veterinar të bashkisë është

a. shëndeti publik veterinar, që kupton mbrojtjen e njerëzve nga sëmundjet zoonozike, të cilat transmetohen nga kafshët në njerëz nëpërmjet prodhimeve të tyre; mbrojtjen nga infeksionet toksike dhe lëndët mbetëse në ushqimet me origjinë shtazore;

b. ruajtja e shëndetit të kafshëve;

c. mbrojtja e mjedisit nga helmet dhe ndotjet me pasoja dëmtuese për faunën e zonës.

3. Shërbimi veterinar është i organizuar në sistem të centralizuar shtetëror me qendër në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.           

4. Inspektorati veterinar i bashkisë bën pjesë në strukturën shtetërore të këtij  shërbimi dhe ka vartësi teknike nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Administrativisht ky inspektorat varet nga bashkia.

5. Në strukturën e këtij sektori futen inspektorët veterinarë pranë bashkisë si edhe ata të kontrollit të tregjeve, thertoreve, frigoriferëve, ndërmarrjeve dhe stabilimenteve përpunuese të mishit, qumështit, peshkut dhe doganës së qytetit.

DETYRAT DHE KOMPETENCAT

Përgjegjësi i sektorit

1. Organizon,drejton dhe kontrollon punën për zbatimin e ligjit nr. 10465 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjit nr. 9863 datë  28.1.2008, “Për ushqimin” si dhe akteve nënligjore përkatëse. Mban vulën e inspektoratit veterinar të bashkisë.

2. Përcakton dhe bën publike vendet për ngritjen dhe funksionimin e thertoreve, pikave të therjes, qendrave të industrisë ushqimore të produkteve shtazore e të peshkut, të cilat miratohen nga bashkia.

3. Jep mendim për çeljen, mbylljen, lëvizjen dhe vendndodhjen e tregjeve të bagëtive, mishit, bulmetit, peshkut, vendimi për të cilat jepet nga kryetari i bashkisë.

4. Organizon vendosjen e kontrollit veterinar shtetëror në të gjitha aktivitetet shtetërore apo private të sferës veterinare si më poshtë:

a.  të prodhimeve të mishit nga para-therja, therja, manipulimi, tregtimi deri te konsumatorët (thertore, frigorifer, qendra përpunuese, treg, transport) si dhe në ato të peshkut;

b.  të prodhimeve të bulmetit (qendra grumbulluese, përpunuese, transport, treg);

c.  të tregjeve të gjësë së gjallë, mishit, bulmetit, peshkut.

5. Mban lidhje të vazhdueshme me drejtorinë rajonale të veterinarisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ku raporton dhe merr udhëzime teknike prej tyre.

6. Bashkëpunon me shërbimin veterinar të drejtorisë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për zbatimi e masave profilaktike dhe të mjekimit për kafshët që ndodhen në zonat periferike urbane të qytetit dhe mban në kontroll situatën epizotike.

7. Bashkërendon punën me Autoritetin e Kontrollit të Ushqimit për kontrolle të përbashkëta.

8. Kërkon mbështetje të policisë bashkiake, policisë shtetit dhe policisë tatimore për zbatimin e detyrave të ngarkuara me ligj.

9. Organizon propagandën sanitare-veterinare.

10. Organizon mbledhjen e kufomave të kafshëve dhe përcakton vendin e groposjes ose grumbullimit te tyre.

11. Kontrollon njësitë e shitjes së kafshëve të shoqërimit dhe të zbukurimit.

12. Mban nën kontroll dhe zbaton legjislacionin në fuqi për eliminimin e qenve të rrugës.

13. Mban librin e regjistrit të therjeve në thertore, regjistrin e certifikatave veterinare (të vulosura me vulën e inspektoratit veterinar të bashkisë) si dhe kartelat veterinare të njësive që tregtojnë produkte shtazore.

14. Bën evidencën e mbylljes së aktivitetit mujor të sektorit si dhe buletinin veterinar.

15. I propozon kryetarit të bashkisë për ndryshim të organikës së sektorit.

16. Harton rregulloren e brendshme të sektorit veterinar të bashkisë, përcakton dhe ndan detyrat funksionale të inspektorëve. 

Inspektori i tregut dhe i ligjshmërisë 

1. Kryen inspektimin nga pikëpamja sanitare-veterinare për shkelje të ligjshmërisë

a. në të gjitha njësitë tregtare te qytetit që operojnë në sferën veterinare;

b. në tregjet ku tregtohen prodhimet e freskëta me origjinë shtazore.

2. Kryen kontrollin e mishit, vulosjen dhe lëshimin e certifikatës së sigurisë në thertore ose në pika therjeje të miratuara.

3. Në të gjithë veprimtarinë kontrolluese mban regjistra të regjistrimit të aktivitetit të therjes, akt-kontrolle, procesverbale dhe kërkon kryerjen e analizave laboratorike në rast dyshimi.

4.  Zbaton masat parandaluese dhe sanksione për kundërvajtjet në fushën veterinare sipas ligjshmërisë me mbështetjen e policisë bashkiake.

5. Aplikon tarifat veterinare për shërbimin dhe kontrollin veterinar dhe bën vjeljen e tyre.

6. Aplikon taksën e therjes dhe bën vjeljen e saj.

7. Veprimet financiare kryhen në drejtorinë e financës së bashkisë dhe derdhja e të ardhurave të vjela kryhet në bankën e caktuar prej kësaj drejtorie (një kopje dorëzohet në zyrën veterinare).

8. Në fund të çdo muaji dorëzon në sektorin veterinar evidencën e aktivitetit të kryer gjatë muajit, si dhe harton planin për punën që do të kryejë në muajin pasardhës.

9. Në vartësi të subjekteve që inspekton këtë veprimtari e kryen edhe në ditët e pushimeve dhe festave.

Inspektori veterinar i peshkut  

1. Kryen inspektimin nga pikëpamja sanitare-veterinare në të gjitha objektet, ku grumbullohet, përpunohet dhe tregtohet peshku si stabilimente, njësi tregtimi, motopeshkatore, automjete; gjithashtu kryen inspektimin e peshkut edhe në treg.

2. Bën kontrollin organo-leptik dhe jep gjykimin për konsumueshmërinë e peshkut dhe të prodhimeve të detit, duke lëshuar certifikatën veterinare të sigurisë në të gjitha objektet e sipërpërmendura.

4. Kërkon dhe zbaton kryerjen e analizave laboratorike sa herë që e gjykon të nevojshme.

5. Merr masa parandaluese dhe zbaton sanksionet për kundërvajtje vetëm në objektet ku ushtron kontroll.

6. Mban regjistrat veterinarë të stabilimenteve të peshkut.

7. Aplikon tarifat veterinare dhe bën vjeljen e tyre.

8. Aplikon gjobat veterinare dhe bën vjeljen e tyre në objektet që ka në kontroll me mbështetjen e policisë bashkiake.

9. Veprimet financiare kryhen në drejtorinë e financës së bashkisë dhe derdhja e të ardhurave të vjela kryhet në bankën e caktuar prej kësaj drejtorie (një kopje dorëzohet në zyrën veterinare).

10. Në fund të çdo muaji dorëzon në sektorin veterinar evidencën e aktivitetit të kryer gjatë muajit, si dhe harton planin për punën që do të kryejë në muajin pasardhës.

11. Në vartësi të subjekteve që inspekton këtë veprimtari e kryen edhe në ditët e pushimeve dhe festave.

Inspektori i mishit 

1. Kryen inspektimin nga pikëpamja sanitare-veterinare për shkelje të ligjshmërisë

a. në të gjitha njësitë tregtare te qytetit që operojnë në sferën veterinare;

b. në tregjet ku tregtohen prodhimet e freskëta me origjinë shtazore.

2. Kryen kontrollin e mishit, vulosjen dhe lëshimin e certifikatës së sigurisë në thertore ose në pika therjeje të miratuara.

3. Është i pranishëm në thertore në të gjitha proceset që kryhen në të, që te pranimi i kafshës në thertore deri në sigurimin e transportit me mjete që plotësojnë standardet.

4. Në të gjithë veprimtarinë kontrolluese mban regjistra të regjistrimit të aktivitetit të therjes, akt-kontrolle, procesverbale dhe kërkon kryerjen e analizave laboratorike në rast dyshimi.

5. Zbaton masat parandaluese dhe sanksione për kundërvajtjet në fushën veterinare sipas ligjshmërisë me mbështetjen e policisë bashkiake.

6. Aplikon tarifat veterinare për shërbimin dhe kontrollin veterinar dhe ben vjeljen e tyre.

7. Aplikon taksën e therjes dhe bën vjeljen e saj.

8. Veprimet financiare kryhen në drejtorinë e financës së bashkisë dhe derdhja e të ardhurave të vjela kryhet në bankën e caktuar prej kësaj drejtorie (një kopje dorëzohet në zyrën veterinare).

9. Në fund të çdo muaji dorëzon në sektorin veterinar evidencën e aktivitetit të kryer gjatë muajit, si dhe harton planin për punën që do të kryejë në muajin pasardhës.

10. Në vartësi të subjekteve që inspekton, këtë veprimtari e kryen edhe në ditët e pushimeve dhe festave.

Inspektori i qumështit dhe nënprodukteve te tij.  

1. Kryen inspektimin nga pikëpamja sanitare-veterinare në të gjitha objektet ku grumbullohet, përpunohet dhe tregtohet qumështi dhe nënproduktet e tij si stabilimente përpunimi, njësi tregtimi, treg, automjete transporti etj.

2. Plotëson dhe mban kartelat identifikuese për çdo objekt që merret me aktivitetin e grumbullim, përpunim, tregtim qumështi dhe nënprodukteve të tij.

3. Kryen kontrollin e mishit dhe lëshimin e certifikatës së sigurisë në thertore të miratuara e të licencuara.

4. Është i pranishëm në thertore në të gjitha proceset që kryhen në të, që te pranimi i kafshës në thertore deri në sigurimin e transportit me mjete që plotësojnë standardet.

5. Kërkon dhe zbaton kryerjen e analizave laboratorike në subjektet përpunuese kur e kërkon nevoja.

6. Merr masa parandaluese dhe zbaton sanksionet qe ia jep ligji vetëm në objektet që i janë caktuar për kontroll në bashkëpunim me policinë bashkiake.

7. Mban regjistrat veterinarë, të cilët janë të vulosur nga sektori veterinar, të objekteve ku ushtron kontroll.

8. Aplikon tarifat veterinare në objektet që kontrollon dhe bën vjeljen e tyre.         

9. Veprimet financiare kryhen në drejtorinë e financës së bashkisë dhe derdhja e të ardhurave të vjela kryhet në bankën e caktuar prej kësaj drejtorie (një kopje dorëzohet në zyrën veterinare).

10. Çdo fund muaji plotëson dokumentacionin e mbylljes së muajit dhe dorëzon në sektorin veterinar evidencën mujore si dhe planin për muajin pasardhës.

11. Në vartësi të aktivitetit në objektet që kontrollon, këtë veprimtari e kryen edhe në ditët e pushimit dhe të festave.

Orari ditor i veprimeve të inspektoratit veterinar

Kryeinspektori ose përgjegjësi i sektorit veterinar zbaton orarin të njëjtë me administratën e bashkisë.

Inspektorët veterinarë:

07oo-10oo  kontroll mish-peshk i freskët për hedhje në treg;

10oo-13oo kontroll ligjshmërie në objektet që mbulojnë;

13oo-14oo  takim ditor në sektorin veterinar për raportim dhe marrje detyrash.

Këta inspektorë  kontrollojnë produktin shtazor të freskët (mish e peshk) edhe në ditët e pushimit dhe ditët e diela, prandaj dita e punës u është lënë 7-orësh.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/