Bashkia e Durrësit thirri në mënyrë urgjente vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare Këshillin Bashkiak. Këshilltarët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në parlamentin e vogël të qytetit pa dhënë asnjë shpjegim. Ndërkohë këshilltarët e LSI-së ju përmbajtën marrëveshjes më të hershme për pushtetin lokal me PS.

Në rendin e ditës ishin 6 projektvendime, një prej të cilëve u shtua në momentin e fundit, miratimi i fondit prej 1 milionë lekë të reja, për zhvillimin e panairit të librit në datat 2 deri në 5 gusht në shëtitoren “Taulantia”.

Nga 6 projektvendime të rendit të ditës, u miratuan pa asnjë debat pesë prej tyre, ndërsa u shty projektvendimi për heqjen e mandatit të këshilltarit të LSI-së, Xhemal Tabaku.

Këshilltari i LSI-së, Jeton Rexhmati, tha se ky këshilltar nuk është i vetmi që mungon në Këshillin bashkiak, por ka edhe të tjerë nga ana e PD.

Sipas zërave në këshill, një prej këshilltarëve që mungon është ish-kreu i njësisë vendore të Rrashbullit, Hysen Gashi.

As socialistët dhe as kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, nuk pretenduan debate me këshilltarët e LSI-së dhe kjo pikë e rendit të ditës u shty për t’u diskutuar një herë tjetër. Me kartonat jeshilë të PS e LSI u miratuan fondet për kopshtin “Hasan Koçi” në Shkozet dhe për gërmimet arkeologjike të shkollës “Marie Kaçulini”. U miratuan projektet për ndërtimin e ujësjellësit në disa ish-njësi vendore në zonat rurale. U miratua fondi prej 9.9 milionë lekë për zhvillimin e panairit të librit.

Këshilltarët e LSI-së, së bashku me të PS-së, përbëjnë kuorumin e nevojshëm për Këshillin Bashkiak. Nëse LSI do të bëjë opozitën në Këshillin Bashkiak, kryebashkiaku Vangjush Dako do ta ketë të vështirë vendimmarrjen, pasi PS nuk e ka luksin të udhëheqë e vetme në parlamentin e qytetit.

K.H.