OSMAN STAFA:
• Është një nga intelektualët më të shquar të qytetit, ka vlerësime maksimale për aftësitë profesionale që disponon, si dhe për jetën korrekte private, që ai demonstron
• Në prag të startimit të procesit të propozimeve dhe përzgjedhjes, PD-ja deklaron se ky proces është i hapur, i ndershëm dhe gjithëpërfshirës me emra nga strukturat e partisë, aleatët dhe shoqëria civile. Dhe sikur të më telefonojnë nga Tirana zotërinjtë Lulzim Basha apo Sali Berisha për ndonjë emër, në fund të fundit, do të vendosin strukturat vendore në konsultim me aleatët
DURRËS, 29 janar 2015 – Befasia e degës së PD-së Durrës mund të quhet Viktor Dhimgjini, “durreslajm.com” verifikoi zërat që kanë qarkulluar së fundmi për kandidatin e së djathtës bregdetare. Të enjten, më 29 janar 2015, në linjë telefonike, një nga arkitektët më të mirë të vendit Viktor Dhimigjini i tha “Dyrrah”-ut”
“Kam dëgjuar plot urime apo zëra për kandidimin tim të mundshëm për kryetar bashkie të Durrësit si përfaqësues të opozitës, por zyrtarisht nuk kam ndonjë konfirmim zyrtar nga dega e PD-së”.
Po më 29 janar 2015, në një prononcim për “Dyrrah”-un në selinë vendore, kryetari i degës së PD-së, Osman Stafa, nuk i hodhi poshtë zërat:
“Viktor Dhimgjini është një nga intelektualët më të shquar të qytetit, ka vlerësime maksimale për aftësitë profesionale që disponon, si dhe për jetën korrekte private, që ai demonstron. Këto që them, janë si qëndrime të PD-së ashtu dhe të mijat si Osman Stafa”.
Kreu i selisë blu bregdetare shtoi:
“Në prag të startimit të procesit të propozimeve dhe përzgjedhjes, PD-ja deklaron se ky proces është i hapur, i ndershëm dhe gjithëpërfshirës me emra nga strukturat e partisë, aleatët dhe shoqëria civile. Dhe sikur të më telefonojnë nga Tirana zotërinjtë Lulzim Basha apo Sali Berisha për ndonjë emër, në fund të fundit, do të vendosin strukturat vendore në konsultim me aleatët”.
Me sa duket, selia qendrore në Tiranë, për të shmangur dhe kritikat që mund të vijnë për ndonjë disfatë të mundshme të opozitës, mund t’iu lërë në dorë degëve në qarqe përzgjedhjen e kandidaturave. Në rastin e Durrësit, kur në “xhiron” janë hedhur disa emra, po piqet mendimi se, për shkak të fërkimeve mes fraksionesh / grupesh / klanesh, një figurë nga shoqëria civile mund të neutralizojë pakënaqësitë dhe të unifikojë partinë në votime. Kjo gjë ka gjasa të ketë ndikuar dhe për nominimin e Dhimgjinit, si “asi në mëngë” i degës së partisë më të madhe opozitare.
DEKLARATA E PLOTË E Z. OSMAN STAFA PËR “DYRRAH”-UN
“Sikurse e kam deklaruar edhe më parë, kandidatura e z. Agron Duka, për të cilin kemi konsideratë, është thjesht një mendim personal i kryetarit të Partisë Republikane. Dega e PD-së Durrës ende nuk ka filluar procesin me strukturat e saj për sa u përket propozimeve dhe përzgjedhjes së kandidaturave për zgjedhjet e 21 qershorit 2015. Brenda Partisë Demokratike ka potenciale njerëzore, intelektuale dhe qytetare, që janë të gatshme të marrin përgjegjësi dhe misione të tilla në emër të qytetit dhe qytetarisë durrsake. Në kohën kur do të fillojë procesi i propozimeve dhe përzgjedhjes, PD-ja do të jetë shumë e hapur me qytetarët dhe mediet.
Lidhur me zotin Viktor Dhimgjini, ai është një nga intelektualët më të shquar të qytetit, ka vlerësime maksimale për aftësitë profesionale që disponon, si dhe për jetën korrekte private, që ai demonstron. Këto që them, janë si qëndrime të PD-së ashtu dhe të mijat si Osman Stafa.
Diskutimi i këtyre emrave që mund të propozohen, është një traditë në jetën politike 24-vjeçare në Shqipëri, me të mirat dhe të këqijat e saj. Mendoj dhe besoj se do të zgjidhet kandidati fitues në garën e 21 qershorit, jo thjesht për PD-në, por pë të gjithë qytetarët durrsakë.
Në prag të startimit të procesit të propozimeve dhe përzgjedhjes, PD-ja deklaron se ky proces është i hapur, i ndershëm dhe gjithëpërfshirës me emra nga strukturat e partisë, aleatët dhe shoqëria civile. Dhe sikur të më telefonojnë nga Tirana zotërinjtë Lulzim Basha apo Sali Berisha për ndonjë emër, në fund të fundit, do të vendosin strukturat vendore në konsultim me aleatët.
Alternativa jonë është alternativa fituese e qytetit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





