Këtë të mërkurë është realizuar me sukses për të dytin vit radhazi nisma “Bëhu Babagjysh për një fëmijë me aftësi të veçanta”, organizuar nga shoqata “Së bashku ne mundemi”.

Në të ishin pjesëmarrës rreth 150 persona, fëmijë dhe prindër, të cilët dhuruan lodra, veshmbathje, si dhe pako ushqimore.

Të pranishëm ishin gjithashtu z. Adrian Gurra drejtori i Arsimit dhe Kulturës, znj. Eva Budini drejtoreshë e Postës Durrës, drejtoresha e shkollës “Mihal Ekonomi”, znj. Dalina Beshiri, etj.

Fëmijët e shkollës “Mihal Ekonomi” interpretuan një program artistik për fëmijët e shoqatës, si dhe dhuruan disa pako me ushqime për disa nga familjet më në nevojë, së bashku me fëmijët e shkollës “Jan Kukuzeli”.

Drejtuesja e shoqatës, znj. Elsa Tasha, shprehet se “misioni do të vazhdojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm me nisma, projekte dhe kontribute për këta fëmijë dhe prindërit e tyre.”

Në përfundim, përfaqësuesit e shoqatës falënderuan donatorin kryesor, shoqërinë “AD Pascucci Caffe” për shpirtin e vullnetarizmit dhe të solidaritetit, si dhe znj.Floreta Kërtusha, përgjegjëse e Njësisë së Integrimit Evropian.