DURRËS,  15 nëntor 2014 – Duke parafrazuar shprehjen e famshme popullore “që në gusht nga një grusht”, qeveria nis punën për sezonin turistik 2015 qysh në nëntor 2014, sikurse ka ndodhur me bashkëpunimin ndërministror të turizmit dhe shëndetit publik.

Në mbështetje të përpjekjeve dhe konsultimeve për t’iu përgjigjur nevojave dhe organizimin e shërbimit shëndetësor në zonat turistike në vend për sezonin veror 2015, në rezortin “Tropikal” Durrës, më 14 nëntor 2014, zhvilloi punimet një tryezë e përbashkët pune me temë “Turizëm i Sigurt dhe i Shëndetshëm”, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit (MZHUT).

Në takim morën pjesë përfaqësues të gjerë të sektorit të turizmit, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, sipërmarrjes private në hoteleri-turizëm, si dhe drejtues të shëndetësisë në nivel vendor.

Pasi dha një pasqyrë të punës e rezultateve konkrete, si dhe vëmendjes që i është kushtuar në vitin 2014 mbarëvajtjes së sezonit turistik, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantinë Gjermeni tha:  

“MZHUT-i po punon për sigurimin e një turizmi gjithëvjetor, me shërbime me cilësore. Ne e konsiderojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë të rëndësishëm, jo vetëm në kuadër të garantimit të shërbimit shëndetësor në periudhën e sezonit te verës, por edhe në shërbimin ndaj turisteve gjatë gjithë vitit.

Është për t’u vlerësuar fakti që po mblidhemi në këtë periudhë për sezonin që fillon pas disa muajsh, por ne duhet të tentojmë që krahas rritjes së cilësisë së turizmit, ta shtrijmë kohëzgjatjen tij mundësisht për gjatë gjithë vitit.

Të mundohen për vitin tjetër masa qoftë për sezonin turistik, qoftë në përgjithësi për shërbimet turistike, të jenë të një standardi dhe të një cilësie sa më të mirë”.

Pasi foli për angazhimin në sezonin turistik 2014, si dhe ndikimin pozitiv të nismave për mbarëvajtjen dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj tha:

“Risia këtë vit ishte që shërbimi shëndetësor i urgjencës për sezonin turistik ishte shumë më i organizuar, ku midis të tjerash, MSH organizoi edhe ngritjen e qendrave të përkohshme të urgjencës mjekësore për të përballuar një nga problematikat me rëndësi jetike për popullatën, siç është ndërhyrja e shpejtë dhe me cilësi për shpëtimin e jetëve në rastet e urgjencave mjekësore dhe parandalimin e handikapit.

Kemi një favor për këtë vit se buxheti do të miratohet pas dy javësh dhe gjatë muajit dhjetor do të bëhet shpërndarja e detajuar e fondeve.

Deri në 1 maj të vitit të ardhshëm do të jenë gati të gjitha qendrat shëndetësore përgjatë plazheve, stafi, pajisjet, mjetet, barnat dhe çdo gjë që duhet për stafin mjekësor.

Nëse fillojmë që sot një bashkëbisedim të frytshëm, unë besoj se brenda fundit të vitit, ne si shëndetësi do të kemi një plan shumë të qartë, sa para na duhen? Ku na duhen? Çfarë protokollesh duhet të kemi për këtë pjesë të shërbimit shëndetësor?”.

Zëvendësministri MZHUT-it, njëkohësisht drejtues i task-forcës për turizmin z. Alfred Dalipi bëri të ditura disa çështje dhe problematika që lidhen me përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit, duke analizuar shërbimin shëndetësor të ofruar gjatë sezonit veror 2014, si dhe hodhi ide të reja për planifikim dhe ofrimin e shërbimit edhe përgjatë gjithë sezonit 2015.

Zëvendësministri i Shëndetësisë z. Klodian Rjepaj paraqiti për pjesëmarrësit në takim një pasqyrë të plotë të shërbimit kombëtar të urgjencës që pritet të fillojë nga puna me miratimin e ligjit përkatës.

Gjatë vitit të ardhshëm Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar hapjen e 15-16 qendrave shëndetësore shtesë që do të jenë të përkohshme për sezonin turistik si dhe blerjen e 20 ambulancave të reja për këtë qëllim.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/