Durrës, 25 mars 2014 – Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte sot paradite në Durrës, ku vizitoi Drejtorinë e Shëndetit Parësor dhe Poliklinikën Qendrore të qytetit. Kohët e fundit në Spitalin rajonal, Poliklinikën qendrore dhe në Qendrat Shëndetsore të qytetit janë rinovuar kabinetet e kardiologjisë dhe po pajisen me aparatura të reja ekzaminuese EKG (elektrokardiogramë), si pjesë e një programi bashkëpunimi të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e kujdesit parësor.

Programi do të mundësojë instalimin e 60 spirometrave, 60 elektrokardiogramave, 3 ECHO-ve për ekzaminim e zemrës, si dhe 3 pajisje (tapete) për provën e forcës së zemrës në spitalet dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.

Pas vizitës, ministri Beqaj deklaroi se “vendosja e këtyre pajisjeve do të rrisë në radhë të parë sigurinë e qytetarëve shqiptarë, që kur i drejtohen QSH të kujdesit parësor të ndjehen më të sigurtë në ekzaminimin që do të marrin. Kjo rrit sigurinë e punës së vetë mjekëve”.

Në të njëjtën kohë Ministri i Shëndetësisë theksoi se duke patur një diagnostikim më të shpejtë e më të saktë kujdesi për pacientin është më i mirë dhe në njëkohësisht mjekët mund të përcaktojnë në një kohë më të shpejtë mjekimin e nevojshëm për të sëmurin.

“Është vijim i programit që kemi nisur të zbatojmë, si dhe një nga elementët e parë të programit për kontrollin bazë të popullsisë 60-65 vjeç”,- përfundoi ministri Beqaj.

Shënim: Fotot mirësjellje Gëzim Kabashi – ATSH

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/