DURRËS, 22 gusht 2013 – Tashmë Garda e Republikës nuk do të ketë më seli në pronat paluajtshme shtetërore te “Blloku” qeveritar i Plazhit të Durrësit. Me gjithë masat e forta, në territorin e pyllëzuar të vilave qeveritare ka pasur raste dhe të depërtimit të gjarpërinjve në vila (shih foton e nxjerrë nga një video-celular, ku një gardist po asgjëson një gjarpër). Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 21 gusht 2013, shefi i Ekzekutivit Sali Berisha vendosi t’u kthejë ish-pronarëve rreth 34 mijë metra katrorë në zonën kadastrale, ku ndodhej Garda e Republikës (shih foton satelitore). Natyrisht veprimet për shpronësimin e Ministrisë së Brendshme do të fillojnë pas botimit të Vendimit të Qeverisë në Fletoren Zyrtare. Por nuk dihet se si do të veprohet për sigurinë në bllokun rezidencial qeveritar të plazhit, ku, më 16-17 shtator 2013, do të mbahet Takimi i 5-të Rajonal i Presidentëve me temë “Përqasje për shfrytëzimin praktik të mundësive për bashkëpunim rajonal më efikas”, nën kujdesin e Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani, i lindur në Durrës.
Dokumenti / Vendim për një ndryshim në Vendimin nr. 815, datë 29.11.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës shtesë të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme për Gardën e Republikës”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 10, 12, 13, 15/a, të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Heqjen nga lista e inventarit të pronave në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Brendshme, për Gardën e Republikës, reparti 322, Grupi Durrës, që i bashkëlidhet vendimit nr. 815, datë 29.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të sipërfaqes prej 33 838 (tridhjetë e tre mijë e tetëqind e tridhjetë e tetë) m2, të ndodhur në zonën kadastrale 8518, Durrës. 2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Kryeministri Sali Berisha





