Durrës, 15 gusht 2014 – Një inxhinier ndërtimi 27 vjeçar, nga Durrësi, po ndiqet penalisht nën akuzën “Shkatërrim prone nga pakujdesia”.
Shkak për nisjen e procedimit penal në gjendje të lirë për 27 vjeçarin E.D. është bërë një sasi llaçi.
Mosrepektimi i kushteve të sigurisë teknike në punë ka bërë që në orët e para të mëngjesit, makina e një shtetasi nga Kosova të dëmtohet për shkak se një sasi llaçi ka rënë nga një pallat në ndërtim.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e plazhit, rreth orës 08.30 të së mërkurës.
Një 46 vjeçar nga Prizreni, Sh. G., ka qenë duke kaluar me mjetin e tij tip Benz poshtë një pallati në ndërtim, kur i ka rënë një sasi llaçi në makinë.
Për pasojë është dëmtuar xhami i përparmë i mjetit. Fatmirësisht nga incidenti në fjalë shtetasi kosovar që ndodhej me pushime në Durrës nuk ka pësuar dëmtime në trup apo fytyrë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





