DURRËS, 27 prill 2013– Një 35-vjeçar ka gjetur vdekjen ditën e sotme në Durrës, pasi është rrëzuar aksidentalisht nga kati i katërt i pallatit ku punonte.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen numër 1 në afërsi të shëtitores "Taulantja"ku Besim Omeri 35 vjeç, ka qenë duke punuar në një lartësi të konsiderueshme të pallatit që po ndërtohej. Përplasja për punëtorin ka qenë fatale, pasi ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në vendin e ngjarjes ka qenë grupi hetimor së bashku me ekspertizën, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndërkohë që po merren në pyetje punëtorët e ndërtimit si dëshmitarë okularë të ngjarjes.
Gjithashtu kanë nisur hetimet edhe ndaj firmës që ka kontraktuar punëtorin, nëse janë zbatuar kushtet teknike të sigurisë në punë.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





