Durrës, 7 korrik 2014 – Një fat tragjik i ka takuar një të riu durrsak, që në fillim të muajit qershor kishte zgjedhur bashkë me shokë të tij zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës për të kaluar një ditë pushimi.
Me datë 2 qershor, 24 vjeçari A.A. ishte duke pushuar me shokët e tij në plazh dhe pasi kanë qëndruar për një kohë të gjatë në diell kanë vendosur të marrin një pedalone për të bërë një xhiro në det.
Dhe kështu janë nisur drejt thellësisë. Ndërsa po argëtoheshin dhe bënin shaka me njëri tjetrin në det, në një moment, A.A. ka humbur ekuilibrin, ka rrëshqitur duke u përplasur në një cep të pedalones dhe më pas ka rënë në det pa ndjenja.
Shokët janë hedhur për ta nxjerrë nga deti dhe me të shpejtë janë kthyer në tokë dhe e kanë dërguar me urgjencë në spital.
Pas vizitës mjekësore, diagnoza ishte mjaft e rëndë. I riu gjatë rënies kishte pësuar dëmtime të vertebrave të qafës. Nëse arrinte të shpëtonte, ai nuk do të kthehej më asnjëherë si më parë.
Pas vizitës në spitalin e Durrësit, 24 vjeçari është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku ka qëndruar deri pasditen e datës 5 korrik.
Rreth orës 19.00, i riu ka ndërruar jetë, pas më shumë se një muaji në gjendje kome. Dëmtimet e pësuara nga rënia kanë qenë vdekjeprurëse dhe pavarësisht tentativave të doktorëve, fati i 24 vjeçarit duket se ishte shënuar atë të hënë të 2 qershorit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





