Durrës, 3 shtator 2014 – Dy rënie nga ballkoni, nga pakujdesia, janë regjistruar 24 orët e fundit në Durrës.
Rasti i parë është ai i një vogëlusheje 3 vjeçare, që i ka shpëtuar kujdesit prindëror dhe për pasojë ka rënë nga kati i tretë i banesës në zonën e plazhit, rreth mesditës së të martës.
Fatmirësisht 3 vjeçarja K.H. është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet e shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të sotëm një 76 vjeçar nga Durrësi, A.T. banor i lagjes nr.7 është hedhur nga ballkoni i katit të dytë të një pallati.
Nga të dhënat paraprake rezulton se ky shtetas vuan nga sëmundja e sklerozës dhe mendohet se ka ngatërruar derën e dhomës me atë të ballkonit.
Aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por për shkak të përplasjes së fortë ka fraktura në gjymtyrë.
Policia po vijon punën për saktësimin e rrethanave të ngjarjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





