* Abuzojnë grosistët e shumicës me çmimet
6 tetor 2015 – Aksioni i tatimorëve i nisur në fillim të muajit shtator me zhurmë nga qeveria shqiptare po dëmton më së shumti bizesin e vogël. Biznesi i vogël në Durrës po “ha dajak” prej ditësh nga tatimorët, me gjoba, sekuestro malli etj, ndërsa kërkesa kryesore e tatimorëve është fatura e blerjes së mallit. Pikërisht kjo faturë është bërë edhe “molla e sherrit”, të një “lufte të heshtur” me biznesin e madh, ndërsa gjobat, kontrollet dhe kërkesat po bien vetëm mbi biznesin e vogël.
“Peshku qelbet nga koka” thonë tregtarët që kanë ngecur midis shtetit dhe biznesit të madh.
Tregtarët:
“13 vjet kam që shes, por shumica nuk na pajis me faturë malli të vlerës reale. Ka plasur sherri dje te ‘Medreseja’, tek tregu i shumicës në Tiranë, sepse shumica po na vë përfund, nuk na japin faturë tatimore për mallin, edhe kur na e japin, vlera e mallit e shënuar është disa herë më e vogël. Na japin dy fatura, një për vlerën reale, tjetra për TVSH-në. Kur u kërkojmë faturë me vlerë reale të mallit na thonë, ndaç merre, ndaç lëre, ja ku e ke. Ik se nuk të japim fare”, shprehet një tregtare që tregton veshje.
“Atletet për fëmijë në faturën me TVSH, shumica i ka shënuar 500 dhe 700 lekë të rinj. Në faturën tjetër, vlera reale është 1500, 1600 dhe 1700 lekë të rinj. Kjo po ndodh me të gjitha pikat e shumicës, që barrën e TVSH-së, po na e lënë neve biznesit të vogël. E njëjta gjë po ndodh, me të gjithë artikujt. Nëse ju kërkojmë faturë me vlerë reale të mallit, pronarët e shumicës na thonë që nuk ju funizojmë fare”, shprehet tregëtari i një dyqani këpucësh dhe atletesh, i cili nuk do të identifikohet.
Tregtarja e një dyqani linje veshjesh, 900 dhe 1500 lekëshe, deklaron se nuk është funizuar prej shumicës në Tiranë, sapo iu kërkoi faturë me vlerë reale.
“Dje ndodhi që nuk u furnizova. Bluzat mi shkruajti me 100 e 200 lekë, ndërkohë që unë pagova 800 dhe 900 për copë. Sherr i madh u bë. U thashë që tatimorët kërkojnë fatura me vlerë reale. Shteti duhet ta gjejë te shumica dhe jo tek ne evazionin. Evazionin po e bëjnë pikat e shumicës, ne jemi bishti i kavallit. Këtu nuk llogarisim taksat që paguajmë, qiratë, mungesën e xhiros, por duhet të mbajmë edhe barrën e TVSH-së që fsheh biznesi i madh.”
Kreu i shoqatës së tregut industrial të Durrësit, Myslym Coka, i pyetur nga “DurresLajm” tha: “Tatimorët nuk duhet të shkarkohen te biznesi i vogël, por te grosistët. Është një zinxhir i tërë prej nga nis abuzimi. Ne jemi biznes i vogël. Shumica ka rënë dakord me doganën, që vlera e mallit të zhdoganuar është e ulët. Me atë vlerë na e japin ne, dhe duket sikur abuzon tregtari i vogël. Realisht abuzimi nis nga dogana, te shumica, duke përfshirë të gjithë strukturat kontrolluese. Kontrolli të nisë nga biznesi i madh, sepse ne jemi vrima e fundit e kavallit të këtij problemi.”
/K.H. portali DurresLajm/