DURRËS, 31 mars 2014 – Në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Shqipëri-Brazil, një mision prej 21 anëtarësh që përfaqësojnë 15 biznese të ndryshme braziliane në Federatën e Industrive të shtetit të Rondonia-s (FIERO) kanë zhvilluar një vizitë në Autoritetin Portual të Durrësit (APD) gjatë së dielës.
Shefi i sektorit të marketingut i Drejtorisë së përgjithshme Ekzekutive të kompanisë publike APD sha, Arben Xhemali, i ka njohur nga afër vizitorët e huaj me potencialet dhe mundësitë që ky port ofron për import-eksportet nga Brazili në Evropën juglindore e me gjerë si dhe anasjelltas.
Presidenti i FIERO-s të shtetit federal të Rondonias, Denis Roberto Bau ka pohuar gjatë fjalës së tij:
“Jemi sot në Drejtorinë e Autoritetit Portual të Durrësit për t’u njohur nga afër me infrastrukturën e Portit për zhvillimin e tregtisë. Për t’u njohur gjithashtu me tarifat, kostot për mundësinë e përdorimit të portit të Durrësit, për shkëmbim tregtar. Është hera e parë që përfaqësues të FIERO-s zhvillojnë vizitë në vendin tuaj”.
Më pas, delegacioni brazilian ka vijuar vizitën në ambientet e Portit të Durrësit, duke parë nga afër terminalet e kontejnerëve, udhëtarëve, etj.
Mysafirët brazilianë e konsiderojnë Durrësin jo thjesht si një port për import eksport mallrash me Shqipërinë, por edhe si një pikë hyrëse për tregun ballkanik. Ndër eksportet e shtetit federal të Rondonias, të cilit i përkiste delegacioni, mund të përmendet druri, mishi i gjedhëve, lëkura, mineralet, kafeja etj.
Rondonia është shteti federal më i ri i Brazilit, i shndërruar nga territor në shtet vetëm në vitin 1981. Një pjesë e konsiderueshme e territorit të këtij shteti mbulohet nga xhungla e famshme e Amazonës.
Çuditërisht delegacioni në vizitën e tij në Durrës nuk shoqërohej nga diplomatë brazilianë të akredituar në Tiranë si psh. i ngarkuari me punë z.Cardosa apo nën konsulli Oliviera.
/gje. th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





