– Në krejt qarkun në 3 muajt e parë të vitit 2014 është miratuar vetëm 1 leje
DURRËS, 26 gusht 2014 – Gjatë 15 muajve (janar 2013 – mars 2014) në qarkun e Durrësit janë dhënë gjithsej 92 leje ndërtimi, ku 77 të tilla janë miratuar në tremujorin e katërt (tetor-nëntor-dhjetor) 2013; kurse në 3 muajt e parë të vitit 2014 është dhënë vetëm 1 leje.
Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë 2014 janë miratuar gjithsej në nivel republike 58 leje ndërtimi, sipërfaqja e të cilave është 189.473 metra katrorë.
Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarqet e Tiranës me 41,4 për qind, Vlorës me 25,9 për qind dhe Shkodrës me 19,0 për qind.
Ka dy shifra kureshtare: në tremujorin e katërt 2013, në Durrës u miratuan 77 leje ndërtimi, nga 210 në shkallë vendi, ose qarku bregdetar përfaqësonte 36.6 për qind të numrit gjithsej; por, duke i parë në vlerë (1 734 792 000 lekë Durrësi kundrejt 16 651 806 000 lekë të Republikës), shihet se lejet kanë qenë për ndërtesa me “peshë të lehtë”, pasi qarku i Durrësit përfaqësonte vetëm 10,4 për qind të vlerës së tyre.
Moratoriumi për mosdhënie lejesh ndërtimi për një vit dëmton rëndë biznesin e ndërtimit, prodhimit dhe tregtimit të materialeve të ndërtimit në Durrës, që japin rreth 40 për qind të prodhimit industrial në qark.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





