DURRES, 27 mars 2013- Në doganën e Durrësit janë bllokuar sot 23 ton qumësht i importuar dhe dy kontenierë me miell dhe niseshte. 

Mësohet se kontenierët e bllokuar nuk kanë pasur analizën e aflatoksinës, për të cilën Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë në fillim të marsit një urdhër që detyron importuesit e qumështit dhe nënprodukteve të tij të pajisen me këtë analizë. 

Urdhri i Ministrisë ka ardhur pas konstatimit të aflatoksinës 2 herë mbi normë në disa lloje të qumështit që tregtohet në vendin tonë.

 

Një urdhër i ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit drejtuar shërbimit veterinar në Potin e Durrësit, kërkon që të gjithë importuesit e produkteve ushqimore të jenë të pajisur edhe me çertifikatën e analizve të Aflatoksinës, e cila nuk ka qënë detyrim deri tani për importuesit shqiptarë.

Urdhri i ministrisë së Bujqësisë u drejtohet importuesve të drithërave e nënprodukteve të tyre, qumështit e nëprodukteve të tij, por edhe frutave të thata që importohen në vendin tonë.

Të gjithë subjektet që nuk kanë bashkangjitur dy çerifikata të tjera të detyrueshme fitosanitare dhe veterinare, edhe çertifikatën e analizave të aflatoksinës, nuk do të lejohen të hyjnë në vendin tonë.

23 ton qumësht të importuar nga subjekte të ndryshme nga Italia dhe Gjermania janë bllokuar, nga shërbimi veterinar në portin e Durrësit, si edhe 250 ton miell dhe niseshte në dy konteinerë, kjo deri në përfundim të analizave që kryhen nga instituti i veterinarisë në Tiranë për sasinë e aflatioksinës.

Deri tani nuk ka qënë e detyrueshme çertifikata e aflatoksinës për këto produkte që përdoren në vendin tonë.  

Urdhri kërkon që të gjitha produktet të kenë sasinë e aflatoksinës, brenda parametrave të Bashkimit Europian, nga 0 deri 0.5mg për kg.

Produktet që kanë sasi më të lartë bllokohen, ndërsa produktet që janë brenda këtyre parametrave kalojnë për konsum të brendshëm bëjnë me dije isnpektorët e shërbimit veterinar në portin e Durrësit.

/k.h. Agjensia e Lajmeve "Dyrrah"/