Nga kontrolli i ushtruar nga drejtoria rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (DRAKU) Durrës në një subjekt me aktivitet bar-kafe në zonën e plazhit, u konstatuan disa lloje produktesh të cilat kishin mungesë etiketash në gjuhën shqipe si (birra, pije freskuese, majonezë, kechup, kapuçino bustinë, ujë dhe qumësht).
Subjekti ushtronte aktivitetin si fast-food në kundërshtim me ligjin (ndërkohë që rezulton i regjistruar si bar-kafe) dhe nuk dispononte sistem gjurmueshmërie për produktet.
Iu vunë dy gjoba, njëra me vlerë 50 000 lekë për etiketim produkti në kundërshtim me rregullat në fuqi, dhe tjetra me vlerë 100 000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.
Iu la detyrë që, brenda datës 10 qershorit 2019, punonjësit të pajisen me libreza shëndetësore, të analizojë ujin e rrjetit si dhe të dokumentojë planin DDD. Iu bllokuan aktiviteti “fast-food”, produktet për t’i etiketuar në gjuhën shqipe, njoftoi AKU-ja më 30 maj 2019.
Th.M.





