Digjen një “Volkswagen Sharan” në qytetin e Krujës dhe një “Land Rover” në fshatin Nojë / Nuajë (“Lazarati” i qarkut) 

DURRËS, 22 dhjetor 2014 –  Zona e Krujës figuron në statistikat “e zeza” jo vetëm për hakmarrje me tritol, por edhe për djegie banesash, biznesesh dhe makinash, sikurse ka ndodhur të dielën në dy raste.

Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë bën të ditur se të dielën, më 21 dhjetor 2014, rreth orës 23.30, në lagjen nr. 2  të qytetit të Krujës ka marrë zjarr dhe është djegur një “Volkswagen Sharan”. Autovetura ishte në pronësi të shtetasit S. K., 31 vjeç. Ky i fundit e kishte parkuar makinën poshtë pallatit ku banon. Policia nuk jep asnjë pistë, por thotë se po punohet sqarimin e ngjarjes.

Po të dielën, më 21 dhjetor 2014, ora 1.55 pas mesnatës, në fshatin Nuajë / Nojë të komunës me të njëjtin emër në rrethin e Krujës, pranë banesës së shtetasit Ç. L., 25 vjeç, është djegur një “Land Rover”. Nga veprimet e kryera në vendin e ngjarjes, policia ka konstatuar se mjeti është djegur qëllimisht nga persona ende të paidentifikuar. Fshati i thellë malor i Nojës njihet për kultivim kanabisi (një “Lazarat” i Krujës) dhe i depove të ushtrisë shqiptare. 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/