Durrës, 12 qershor 2014 – Dy procedime penale në gjendje të lirë ka nisur policia për dy banorë të Durrësit, të cilët një ditë më parë janë përfshirë në konflikte për motive të dobëta me dy persona të tjerë.
Konflikti i parë është regjistruar rreth orës 14.30, në lagjen nr.12, në afërsi të tregut të fruta-perimeve. Në këtë konflikt kanë mbetur të përfshirë 42 vjeçari K.Ç. dhe 41 vjeçari E.S. Sipas policisë, dy shtetasit kanë pasur më parë një konflikt verbal që ka degjeneruar deri në goditjen me grushta në fytyrë të 41 vjeçarit E.S.
Ndërsa konflikti i dytë është regjistruar në zonën e ish-Kënetës dhe në të kanë mbetur të përfshirë 22 vjeçari A.K. dhe 32 vjeçari D.H. Konflikti mes të dyve ka nisur rreth orës 19.30 dhe sipas dëshmisë së të lënduarit D.H., ai është goditur me mjete të forta në kokë nga 22 vjeçari. Për shkak të goditjeve, 32 vjeçari ka marrë lëndime të shumta në kokë dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë. Fatmirësisht, sipas mjekëve, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur procedimin penal për 42 vjeçarin K.Ç. dhe 22 vjeçarin A.K. të akuzuar për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





