“Kur të vdes një mik, pjesërisht vdes dhe ti.

Ai zgjedh heshtjen një ditë dhe ti trishtimin natyrisht.

Kjo është jeta….”

Me këto fjalë të mbushura plot trishtim dhe dhimbje për ndarjen nga jeta të një miku dhe kolegu, bota e artit dhe kulturës i dha sot lamtumirën e fundit aktorit të mirënjohur Lutfi Hoxha.

Me rreth 70 vite karrierë artistike mbi shpinë, aktori durrsak interpretoi në mbi 100 role në teatër dhe 22 të tjerë në kinematografi.

Miq dhe kolegë morën pjesë në homazhet e mbajtura në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, për njërin prej aktorëve të fundit të mbetur gjallë nga plejada e artë e teatrit të Durrësit.

Një nderim i veçantë u bë për Hoxhën edhe nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

“Luti ishte një njeri i mrekullushëm, tepër i shoqërueshëm. Nuk po flas për vlerat e tij artistike të padiskutueshme qoftë në filma, qoftë në role të dyta, apo dhe në teatër, sepse nuk kanë nevojë për koment”,– tha shkrimtari Bardhyl Agasi.

“Në një përvjetor të teatrit unë e kam cilësuar njeriu i 100 fytyrave. Luti ishte aktori që ndërronte fytyrën për çdo rol që interpretonte. Është një aftësi shumë e veçantë e aktorëve të karakterit”,– tha mes të tjerash regjisori Haxhi Rama.

“Ai ka qenë aktor brilant. Një aktor që karakteret më të bukura mund t’i zhvillonte veç ai. Ishte shumë aktiv, kjo na pëlqente tek ai. Donim të ishim dhe ne aq aktiv sa ai”,- kujton aktori Roland Koça.

I njohur si aktori i karaktereve, Lutfi Hoxha e nisi karrierën e tij si aktor amator në grupin e Kantierit Detar të Durrësit, ku spikati me talentin dhe aftësinë e tij për të krijuar karaktere.

Për angazhimin e tij të gjatë, deri në vitet e fundit të jetës në teatër, Lutfi Hoxha është nderuar me titujt “Qytetar Nderi i Durrësit”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Artist i Merituar”.

M.B.