Durrës, 20 qershor 2014 – Adoleshentja braktis fëmijën e sapolindur dhe largohet nga materniteti në mes të natës për të mos marrë mbi vete përgjegjësinë për rritjen e tij. Një 18 vjeçare nga Librazhdi, A.H., ka nisur të procedohet penalisht nga policia e Durrësit, pasi pas sjelljes në jetë të një foshnje të seksit mashkull e ka braktisur këtë të fundit.

Sipas policisë së Durrësit, mësohet se vajza, kur është paraqitur në maternitet, ia kishte bërë të ditur mjekes që e asistoi në lindje, se do ta linte aty foshnjen, sepse ishte e pamartuar dhe nuk kishte asnjë kontakt me babain e djalit të saj. Mjekja i kishte thënë se më parë duhet të deklaronte identitetin e saj dhe më pas të kryente procedurat e nevojshme për veprimin që kërkonte të ndërmerrte, por vajza e re është larguar në mes të natës së të mërkurës me shpresën se gjithçka do të mbyllej aty.

Kanë qenë mjekët ata që kanë kontaktuar policinë dhe kanë rrëfyer gjithçka kishte ndodhur në maternitet. Efektivët e rendit kanë mundur ta gjejnë vajzën e re, e cila ka rrëfyer se ngjizjen e fëmijës e kishte bërë me një djalë që e kishte takuar veç dy herë dhe më pas kishte humbur kontaktet me të. Ajo di vetëm emrin e Agronit (djali me të cilin ngjizi fëmijën) dhe nuk ka mundur të kontaktojë më me të për t'i treguar se po sillte në jetë fëmijën e tij.

Vajza së bashku me të ëmën ka vendosur ta sjellë në jetë foshnjen, por më pas do ta braktiste atë për shkak të turpit nga opinioni publik. Për të evituar komentet në qytetin e tyre, ato kishin vendosur që lindja e fëmijës të bëhej në Durrës, ku shpresonin se gjithçka do të qëndronte sekret

18 vjeçarja nga Librazhdi, A.H., po ndiqet penalisht pas braktisjes që i bëri në maternitetin e Durrësit djalit të saj të sapolindur.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/