DURRES– Ndalohet 25 vjeçarja që rreth një vit më parë braktisi foshnjen e saj të porsalindur. Komisariati i policisë së Krujës ka bërë të mundur kapjen e shtetases të shpallur në kerkim Hatixhe Lamkja, 25 vjeçe, banuese ne Peqin. Në muajin tetor të vitit të kaluar gjykata e Tiranës e ka dënuar këtë shtetase me 6 muaj burgim për vepren penale të braktisjes së fëmijës së mitur. 25 vjeçarja rezultonte e shpallur në kërkim që në muajin tetor të 2012.

Vitin e kaluar pas disa seancash gjykimi në mungesë gjykata e Tiranës ka kërkuar të shpallet në kërkim nga Policia e Shtetit shtetasja Hatixhe Lamkja, e cila rezultonte të ishte nëna e një fëmije të vogël, që e kishte braktisur në moshë mjaft të njomë.

Burime policore bënë të ditur në atë kohë se e reja nga Peqini, që rezultonte të kishte statusin beqare, e ka lindur fëmijën e seksit mashkull në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë. Pas lindjes vajza e re është larguar nga materniteti dhe ka shkuar në shtëpinë e disa të afërmve, për të bujtur për një natë.

Po ndërsa të zotët e shtëpisë ishin duke fjetur, vajza e re është larguar nëpër natë nga shtëpia e tyre duke braktisur foshnjen e saj. Pas kontakteve me të afërmit ajo u ka thënë se do të vinte ta merrte vogëlushin sapo të mbaronte disa punë në Durrës, por që nga ajo kohë nuk është bërë më e gjallë.

Pasi kanë pritur për disa ditë me rradhë kthimin e nënës së re, të afërmit e saj e kanë denoncuar rastin në fjalë në komisariatin numër 3 në kryeqytet. Foshnja e braktisur është dërguar në Shtëpinë e Fëmijës, ndërkohë që policia nuk kishte asnjë informacion për adresën e re të 25 vjeçares nga Peqini.

Hatixhe Lamkja është akuzuar për veprën penale “Braktisje e fëmijës së mitur“, parashikuar nga neni 124/1 i Kodit Penal, i cili thotë: “Braktisja e fëmijës nën moshën 16 vjeç nga prindi ose personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.