DURRËS, 19 maj 2013 – Hamami në qendër të qytetit të Durrësit ka mbetur në mëshirë të fatit.

Hamami është një monument kulture dhe atraksion turistik, i restauruar për herë të fundit në vitet 1987-1988.

Monumenti që ndodhet pranë rrugës Tregtare (tani bulevardi “Epidamn) vazhdon të jetë i mbyllur prej disa vitesh dhe oborri i tij është dëshmi e degradimit të këtij objekti të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Hamami (banjo me avull e periudhës turke) është restauruar në mesin e viteve 1980 dhe për afro dy dekada tërhiqte interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj, të cilët vlerësonin “banjën” 200-vjeçare të qytetit antik, që vazhdon të ruajë disa qindra metra më tej edhe monumentin e banjave “terma” të periudhës romake.

Vitet e fundit një subjekt privat kreu disa ndërhyrje të tjera restauruese në hamamin mesjetar të Durrësit, por marrëveshja me institutin e monumenteve të kulturës duket se u prish shpejt.

Aktualisht mjediset e jashtme të objektit janë në gjendje të mjeruar, ndërsa vetë monumenti është i pavizitueshëm.

Info/

Banja e periudhës turke ndodhet pranë banesës së familjes Vokopola. Nuk dihet nëse funksioni i saj ka qenë publik apo privat.

Në qendër të kompozimit planimetrik të godinës së hamamit ndodhet mjedisi i zhveshjes, që mbulohet nga një kube sferike, e restauruar afro 30 vjet më parë.

Në një lartësi maksimale 5.8 metra nga dyshemeja ndodhen 12 dritare shumë të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në mesin e gjysmësferës.

Në kulmin e kupolës ndodhet një gjysmësferë tjetër, me rreze 70 cm, ku hapen tre dritare të tjera rrumbullake, çka plotëson ndriçimin e dhomës.

Në të djathtë të kësaj dhome ndodhen edhe dy mjedise të vogla për larje.

Dyshemetë e këtyre dhomave ngroheshin me tym ose me avull, nëpërmjet tubacioneve që dilnin nga furra.

Kjo e fundit ndodhet në pjesën e prapme të mjedisit të zhveshjes.

/g.k. & th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”