DURRES, 25 gusht 2013 –Thënia e moçme “bashkë me gushtin ikën edhe vapa” duket se pak gjasa ka të jetë e besueshme.
Vapa e gushtit e këtij viti ka bërë që plazhi i Durrësit të jetë i mbipopulluar me pushues, që prej shumë ditësh frekuentojnë vijën bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Plepa. Ky “bum” pushuesish prej dy javësh ka bërë që shumë pak mjedise që jepen me qira në plazh të jenë të lira, madje në disa ditë shumë pushues që erdhën nga Kosova dhe Maqedonia janë detyruar të kalojnë një ose dy net në mjedise aspak të përshtatshme për turistë.
Dyndja masive e pushuesve menjëherë pas përfundimit të muajit të Ramazanit bëri që situata të shfrytëzohet menjëherë. Ndonëse çmimet e dhomave me qira nuk shkuan më shumë se 10-15 euro nata, e kundërta ndodhi me plazhet private. Duke qenë se e gjithë sipërfaqja e plazhit në Durrës është zënë nga privatët, ata e rritën menjëherë çmimin e shezlongëve nga 300 në 500 lekë. Shumë pushues janë detyruar të ngrihen herët në mëngjes për të prenotuar një vend me dy shezlongë dhe një çadër në plazhin e madh të Durrësit. Disa prej familjeve nga Kosova dhe Maqedonia, të cilat nuk kishin prenotuar më parë dhomë në hotel apo banesë me qira, janë detyruar të kalojnë natën përjashta, duke shfrytëzuar automjetet e tyre dhe shezlongët për të fjetur. Halim Sadikaj, i cili ka ardhur së bashku me familjen e tij, që përbëhet nga pesë anëtarë, për të kaluar 15- ditëshin e dytë të gushtit në bregdetin e Durrësit, shprehet se natën e parë që ka mbërritur në destinacion e ka kaluar jashtë.
Kryefamiljari tregon se tre fëmijët i kishte sistemuar në makinë, ndërsa ai me bashkëshorten kanë fjetur në shezlong.
“Nuk kishim prenotuar më parë një dhomë dhe si pasojë përfunduam jashtë ditën e parë. Ne nuk na kishte shkuar mendja se do të kishte kaq fluks pushuesish. Edhe pse erdhëm që në orët e pasdites e kërkuam për orë të tëra, madje u ramë qark gjithë hoteleve, nuk arritëm të gjenim një dhomë për të kaluar natën. Edhe banesat private që ne marrim zakonisht me qira ishin të zëna. Kështu që u detyruam ta kalonim natën jashtë. Fëmijët fjetën në makinë, ndërsa unë me gruan në shezlon”, tregon pushuesi kosovar.





