Durrës, 24 mars 2014– Mëngjesin e sotëm, rreth orës 07.40, banorët e lagjes nr.6 të qytetit të Durrësit janë tronditur nga disa të shtëna me armë zjarri në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Vasil Ziu”. Paniku është përhapur më shumë mes fëmijëve dhe prindërve që po i shoqëronin ata për në shkollë. Policia që ka shkuar menjëherë në vendngjarje sapo ka marrë njoftimin ka gjetur të braktisur në tokë një automatik model 56.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë bërë të ditur se personi që ka shtënë dy herë me breshëri automatiku në ajër ishte një i ri, që është larguar me shpejtësi mes pallateve të lagjes. Rrethimi i zonës nga efektivë të shumtë policie ka bërë të mundur ndalimin e personit që dyshohet si autor i kësaj ngjarjeje.

Burime policore bëjnë të ditur se shtetasi i ndaluar është T.H., një 23 vjeçar nga fshati Qerret i rrethit të Kavajës. Aktualisht ai po merret në pyetje nga grupi hetimor për të zbardhur rrethanat dhe motivet që e shtynë të shtinte me breshëri automatiku në mes të një zone të banuar.

(Vijon)

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/