DURRËS, 27 prill 2015 – Të hënën, më 27 prill 2015 paradite, Këshilli i Qarkut Durrës organizoi seminarin mbi menaxhimin e fushatës elektorale me “zero” mbetje dhe ndotje. Ishin të pranishëm përfaqësues të grupeve të interesit dhe forcave politike, si dhe nga organet e qeverisjes vendore, administratës së Prefektit të Qarkut, policisë. Në mënyrë të papritur këtë veprimtari të financuar nga Brukseli e bojkotuan të djathtët, ndonëse kishin ndihmuar dhe premtuar për pjesëmarrje, u tha publikisht nga përfaqësues të projektit. Nuk dihet nëse kjo ngjarje e padëshiruar është bërë nga negligjenca e përfaqësuesve të opozitës, apo me urdhër nga selia vendore e PD-së. Për më tepër që kandidatja për kryebashkiake të Durrësit Grida Duma ka qenë zëvendësministre e Integrimit Evropian.
Në kuadër të projektit ZERO WASTE është përzgjedhur ky event si një nga ato me përmasa dhe shtrirje në të gjithë qarkun, si dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në ndotjen e mjedisit, sidomos nga posterët. U paraqitën disa metoda menaxhimi, të cilat e orientojnë zhvillimin e fushatës elektorale drejt ZERO mbetje / ndotje në mjedis.
Info
Ky projekt financohet në kuadër të Programit IPA Adriatik 2007-2013, ku Këshilli i Qarkut Durrës mbështetet në një buxhet prej 108 280 euro. Projekti ka filluar në tetor 2012 dhe përfundon në qershor 2015. Nisma është e bazuar në një partneritet të 9 subjekteve publike dhe private që u përkasin 6 vendeve të zonës së Adriatikut: Itali, Shqipëri, Kroaci, Mali i Zi, Serbi dhe Slloveni.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/