DURRËS, 16 shkurt 2015 –  I ashtuquajturi “terminal hekurudhor” në lindje të portit të Durrësit po sjell shqetësime në lëvizjen e trenave, pasi në këtë terminal ngarkohet vetëm skrap importi për nevojat e metalurgjikut të Elbasanit, sikurse ndodhi me batimin e një vagoni në orët e para të fillim-javës.

Të hënën, më 16 shkurt 2016, ora 2:25, pas mesnatës, “bubulliu” te Shkëmbi i Kavajës. Burime nga drejtoria e përgjithshme ekzekutive e ndërmarrjes publike “Hekurudha Shqiptare” sha bëjnë të ditur se treni nr. 293 Durrës-Elbasan, me 15 vagonë të ngarkuar me skrap importi në Terminalin Lindor të portit të Durrësit, është ndalur me një zhurmë të frikshme në kilometrin 7, te Shkëmbi i Kavajës. Personeli i lokomotivës nr. 1046 ka zbritur në trase dhe ka konstatuar se vagoni i shtatë vetëshkarkues ishte batuar i tëri nga krahu i Shkëmbit të Kavajës. Avari e rëndë, por me “fat”: nuk ra nga krahu i autostradës, pasi kështu do të bllokohej autostrada Veri-Jug, segmenti Plepa-Golem. “Fati” tjetër që minimizoi pasojat ishte se vija hekurudhore (ose në terminologjinë teknike: “perigon”) Durrës-Kavajë, segmente-segmente, deri në Rrogozhinë, është me traversa betoni, gjë që parandaloi hapjen e linjës. Mësohet se ka pasur devijim minimal të linjës.

Në vendngjarje ka shkuar me shpejtësi grupi i avarisë me krikët, vinçat dhe mjete të tjera, si dhe drejtuesit me në krye administratorin Genc Alizoti. Është punuar gjatë gjithë ditës, por në harkun e 12 orëve, deri në 16:30, ende nuk ka rifilluar lëvizja e trenave për shkak se nuk u ngrit vagoni. Për udhëtarët e pakët me trenat e udhëtarëve Elbasan-Durrës dhe Fier-Durrës, që janë ndalur në stacionin e Golemit, janë vënë në dispozicion autobusë. E njëjta gjë është bërë nga krahu i kundërt për trenat e udhëtarëve të bllokuar në Durrës me destinacion jugun dhe juglindjen e vendit.

Ende nuk është bërë analiza për shkaqet e avarisë, por ekspertë të infrastrukturës mendojnë se kemi të bëjmë me mbingarkesë të vagonit ose me defekt të tij teknik.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/