DURRËS, 27 prill 2013- Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 28-vjeçarin Ardit Hyska, i cili u akuzua për vrasjen me paramendim të 27 vjecarit Refik Lila dhe armëbajtje pa leje.

Prokurori i çështjes Drini Pali, ka kërkuar për 28 vjeçarin masën e sigurisë "arrest me burg" , pasi sipas tij ka prova të majtueshme dhe një dëshmitar që tregojnë se Hyska ka ekzekutuar me paramendim 27 vjecarin Refik Lila, ngjarje e ndodhur katër ditë më parë në lagjen numër 18 Durrës, duke e cilësuar arrestimin në flagrancë si të ligjshëm.

Kërkesa e organit të akuzës është kundërshtuar nga avokati mbrojtës i të pandehurit, Ilir Pengili, i cili ka deklaruar se prokuroria nuk ka asnjë provë që implikon Hyskën si autor të vrasjes së 27 vjecarit Lila, ndërsa ka kërkuar që dëshmia e 4-vjecarit të mos merret për bazë për shkak të moshës së tij të mitur.

Nëpërmjet avokatit mbrojtës, mësohet se Hyska nuk e ka pranuar autorësinë e vrasjes, duke deklaruar se është i pafajshëm. 

Pasi ka dëgjuar palën mbrojtëse dhe organin e akuzës, gjyqtarja e çështjes Shpëtime Pitaku, ka vendosur të japë masën e sigurisë "arrest me burg" për 28 vjeçarin Hyska.

Sipas kërkesës së prokurorit të çështjes drejtuar trupit gjykues, ku për shkak të hetimeve, ai kërkoi largimin nga salla të mediave dhe familjarëve, seanca e masës së sigurisë është zhvilluar me dyer të mbyllura, ku familjarët nuk janë lejuar të jenë të pranishëm në dhënien e masës së sigurisë.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ka ndodhur tre ditë më parë në mes të një blloku pallatesh në lagjen nr 18 të qytetit bregdetar. 

27-vjeçari me emrin Refik Lila banues në Durrës, pas një konflikti banal është qëlluar me armë zjarri nga 28 vjeçari Ardit Hyska, lindur në Tiranë dhe banues në Durrës.

27 vjeçari është dërguar me shpejtësi në spital, por nuk ka arritur tu mbijetojë tre plagëve të marra në trup. 

/e.a. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/