Një 33-vjeçar nga Durrësi ka pritur plot dy muaj për të denoncuar në polici faktin se bashkëshortja 29-vjeçare, së bashku me dy fëmijët e mitur nuk janë kthyer në shtëpi.

Ngjarja ka pikënisjen në datë 25 korrik, kur sipas shtetasit A.N. bashkëshortja me inicialet A.N. dhe dy fëmijët e mitur të çiftit janë larguar nga shtëpia për të mos u kthyer më.

Denoncimi i burrit në policinë e Durrësit është bërë vetëm ditën e djeshme, pra plot dy muaj pasi anëtarët e familjes ishin larguar.

Policia bën të ditur se materialet për këtë çështje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Ndërkohë, bashkëshortja 29-vjeçare akuzohet për veprën penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, parashikuar në nenin 127 të Kodit Penal.