Durrës, 8 maj 2014 – Një 40 vjeçar nga Durrësi ka denoncuar në komisariatin e policisë së qytetit bregdetar largimin nga shtëpia të gruas së tij, në datë 6 maj.

Në pamundësi për të gjetur bashkëshorten, e cila është zhdukur pa lënë gjurmë, 40 vjeçari A.B. i është drejtuar për ndihmë forcave të rendit.

Në dëshminë e tij, 40 vjeçari deklaroi se e shoqja është larguar nga shtëpia pas një grindjeje të zakonshme në çift. Ai ka mohuar të kenë pasur konflikte serioze, që mund ta çonin bashkëshorten të ndërpriste marrëdhënien me të.

40 vjeçari A.B. ka thënë se nuk kishte asnjë ide se ku mund të ndodhej e shoqja, megjithëse kishte kontaktuar edhe me familjarët e saj.  

Burri ka hedhur dyshime se gruaja mund të jetë larguar me ndonjë person me të cilin mund të ketë pasur lidhje, pasi sipas tij nuk kishte arsye tjetër për t’u larguar.

Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim 29 vjeçaren SH. B. dhe po punon për gjetjen e saj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/