DURRËS, 17 dhjetor 2014 –  Ditën e djeshme (16 dhjetor) është çelur në Durrës ekspozita fotografike "Eksplorimi i një peizazhi"e autorit austriak Robert Pichler. Ekspozita përmban fotografi bardhë e zi të cilat janë nxjerrë në zonat rurale që gjenden në kufirin shqiptaro-maqedonas. Në fokusin e Dr.Pichlerit kanë qenë banorët e këtyre zonave në kapërcyellin e viteve '90, atëherë kur sistemi komunist ra dhe së bashku me të ndryshoi edhe mënyra e jetesës, e cila ishte diçka ndërmjet së shkuarës dhe realitetit të ri.

Në foto pasqyrohen peizazhe të fshatrave që gjenden në kufirin mes dy vendeve, banesa të zonës, portrete fshatarësh, klerikësh, e të tjera objekte që ka rrokur aparati i austriakut.

Në ceremoninë e organizuar në klubin e artit të kompanisë “Sigal” morën pjesë intelektualë, artistë dhe qytetarë të Durrësit të cilët vizituan ekspozitën fotografike, e cila do të qëndrojë hapur disa ditë.

Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i Austrisë në vendin tonë, Thomas Schnoll, si dhe presidenti i kompanisë se sigurimeve “Sigal”, Avni Ponari.

Ekspozita është frut i bashkëpunimit ndërmjet autorit Pichler me ambasadën austriake në Tiranë dhe kompaninë “Sigal”.